Mendi Qyra, një figurë e njohur në sektorin ekonomik dhe publik, ka njoftuar zyrtarisht dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), për shkak të kandidaturës së tij të pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, përcjell Zhurnal.mk.

Në një komunikatë publike, Qyra sqaroi se dorëheqja vjen në përputhje me nenin 20 të Statutit të OEMVP-së, i cili ndalon ushtrimin e funksioneve udhëheqëse brenda Odës për individët që përfshihen në politikë. “Edhe pse kandidatura ime mbështetet nga sektori privat, për të ruajtur integritetin dhe pavarësinë e OEMVP-së, kam vendosur që në ditët në vijim të dorëzoj dorëheqjen time pranë Këshillit Drejtues,” theksoi ai.

Qyra e konsideron këtë hap si një veprim moral dhe profesional, edhe pse procesi zgjedhor lokal nuk është ende zyrtarizuar. Ai theksoi se vendimi nuk përfaqëson një largim nga komuniteti i biznesit, por është dëshmi e sinqeritetit të tij ndaj vlerave të ndërtuara së bashku me OEMVP-në.

“Transparenca, besueshmëria dhe neutraliteti i Odës, si institucion apolitik, nuk duhet të vihet asnjëherë në pikëpyetje,” tha Qyra, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe duke premtuar se do të vazhdojë të jetë një mbështetës i fortë i zhvillimit ekonomik dhe i vetë OEMVP-së.

Kjo lëvizje e Qyrës konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm në horizontin politik të Strugës dhe pritet të gjenerojë interes të madh në skenën lokale.