Rita Ora ka folur me një sinqeritet prekës për një periudhë të errët të jetës së saj, kur pasiguritë për pamjen fizike i rënduan mendjen dhe ia tronditën vetëvlerësimin.
E ftuar në podcast-in “Happy Place”, këngëtarja shqiptaro-britanike rrëfeu se në fund të të njëzetave filloi ta ndjente peshën e madhe të pritshmërive të shoqërisë për “trupin perfekt” — dhe kjo e bëri të ndihej e pamjaftueshme.
“Ndihesha sikur nuk i përmbushja standardet, e krahasoja veten pa fund me të tjerët, dhe kjo e lodhi shumë shëndetin tim mendor,” tha ajo, duke dhënë një mesazh të fuqishëm për pranimin e vetes dhe dashurinë ndaj trupit që kemi.
“Fillova të sëmuresha shpesh, ndihesha pa energji dhe nuk e duroja më veten. Nuk kujdesesha për trupin tim. Pastaj, më kaloi në mendje një mendim i tmerrshëm: ‘Nuk jam aq e dobët sa të tjerët – prandaj jam e shëmtuar’. Sot, më trondit kur kujtoj që kam besuar një gjë të tillë,” rrëfen Rita me sinqeritet.
Në bashkëpunim me markën Dove dhe projektin “Self Esteem”, këngëtarja shqiptaro-britanike theksoi sa e rëndësishme është të përballesh me versionin e lënduar të vetes së dikurshme:
“Është si të takosh atë vajzën e vogël që ishe dikur dhe t’i thuash: ‘Ti je shumë më e bukur se ç’mendon.’ Të gjithë meritojmë ta ndiejmë këtë.”/21Media