Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, së bashku me zëvendësministren e Sportit, Safije Sadiki, kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiç, kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe deputeten Feride Haxhiu prezantuan projektin për rikonstruktimin dhe ndërtimin e fushës ndihmëse në kuadër të stadiumit të klubit FC Shkupi.

Fusha ndihmëse do të ketë përmasa 80 metra gjatësi dhe 50 metra gjerësi, të rrethuara me koris mbrojtëse 3-metërshe nga të katër anët. Projekti do të realizohet sipas standardeve ndërkombëtare të FIFA-s, duke përfshirë bari artificial me cilësi të lartë, sistem atmosferik për kullim që garanton funksionim edhe në kushte të pafavorshme atmosferike, si dhe ndriçim të plotë për përdorim gjatë ditës dhe mbrëmjes.

Sipas Mexhitit ky investim përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës sportive në Komunën e Çairit dhe krijon kushte më të mira për stërvitje dhe zhvillim profesional për të rinjtë e apasionuar pas futbollit.

“Qëllimi ynë është të krijojmë sa më shumë hapësira dhe mundësi për rininë tonë, duke i mbështetur ata në rrugën e tyre drejt suksesit,” theksoi zëvendëskryeministri Mexhiti gjatë prezantimit të projektit.