Më datë 07.07.2025, në orën 14:00 në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar R.R. (20) nga Tetova, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka shantazhuar një të mitur nga një fshat i Tetovës. Sipas njoftimit të MPB-së, rreth orës 12:00 ai ishte denoncuar në SPB Tetovë nga një grua 45-vjeçare dhe vajza e saj e mitur, të cilët raportuan se ai po e shantazhonte vajzën e mitur, me të cilën kishte qenë në lidhje dashurie për tre vitet e fundit.

Gjatë vitit 2025, i dyshuari disa herë kishte kërkuar para nga vajza e mitur, duke e kërcënuar se do të publikonte fotografi eksplicite të saj në rrjetet sociale nëse nuk i jepte para. Denoncuesja në dy raste i kishte dhënë gjithsej 800 euro, por ai kishte vazhduar me shantazhin.

R.R. është ndaluar në stacionin policor dhe, pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 259 paragrafi 1 i Kodit Penal.