Gjatë ngjarjes së sotme në Gjevgjeli, me rastin e lëshimit në përdorim të bulevardit të ri “Shën Klimenti i Ohrit”, Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski I komentoi edhe dy ligjet që u miratuan dje në Kuvend, me të cilat mundësohet rritja lineare e pensioneve dhe vauçerë për studentët.

“Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se dje kaluan dy ligje të rëndësishme; njëri ligj është rritja lineare e pensioneve, ajo që e kërkonin pensionistët. Ata kërkonin një rritje të drejtë, të ndershme, lineare dhe me këtë rritje të re prej 2 mijë denarësh, nëse i shtojmë edhe ato 5 mijë denarë të mëparshme, atëherë për 18 muaj kemi një rritje lineare të pensioneve prej 7 mijë denarësh. Nëse krahasohet kjo rritje me rritjet në të kaluarën, atëherë arrijmë në përfundimin se pensionet për pensionistët janë rritur disa herë më shumë. A është e mjaftueshme? Jo. Por a është më shumë çka qenë – absolutisht është 3, 4 herë më shumë sesa çdo mesatare nëse merret në një periudhë më të gjatë. Merreni mesataren e qeverisë së kaluar të LSDM-së në 7 vite dhe do të shihni se në këto 18 muaj rritja e pensioneve është 4 herë më e madhe”, tha Mickoski.

Kryeministri Mickoski iu referua edhe vauçerëve për studentët që mundësohen me vendimin e miratuar dje në Kuvend.

“Po, ligji i dytë është ligji me të cilin studentët në të gjitha universitetet e vendit, edhe të rregullt edhe me korrespodencë, në mënyrë të barabartë do të fitojnë të drejtën të marrin një vauçer – një kupon me vlerë prej 15 mijë denarësh që do ta shfrytëzojnë për blerjen e pajisjeve elektronike që më pas do t’u shërbejnë gjatë studimeve të tyre. Kështu që, këto dy ligje që i kemi premtuar, po i realizojmë. Ajo që në të kaluarën vidhej, tani ndërtohet dhe realizohet për qytetarët”, theksoi kryeministri.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume