Mickoski: Është rritur arkëtimi i të ardhurave nga Dogana, kjo është rezultat i një pune parimore dhe luftës kundër krimit

Për një vit, me shumë punë, me vizion dhe me një qasje të përgjegjshme, po e kthejmë vendin në këmbë – pjesë pas pjese, institucion pas institucioni, sistem pas sistemi. Një nga ato shtylla që po e ndërton kohën e re, që po i vendos themelet e ndryshimeve, është pikërisht Drejtoria Doganore.
Gjatë vitit të kaluar, janë paguar të ardhura, siç tha edhe drejtori, në shumë prej mbi dy miliardë euro, që janë 105 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të mëparshme. Kjo nuk është rastësi. Ky është rezultat i një pune parimore, i një udhëheqjeje pa kalkulime, i luftës kundër ekonomisë gri dhe korrupsionit, si dhe i një përcaktimi të qartë politik – paratë të shkojnë te qytetarët, e jo në xhepat e dikujt.
Prandaj, sot të ardhurat nga dogana, siç e tha edhe drejtori, janë rritur për 15.2 për qind, ndërsa nga akcizat rriten për 7.1 për qind, e kështu me radhë.
E dimë çfarë nënkuptojnë këto shifra – kjo do të thotë më shumë për pensione, për paga, për spitale, shkolla, rrugë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ato para, deri dje, përfundonin në ekonominë gri. Sot po kthehen te populli.
Por u hap edhe një betejë kundër ekonomisë gri dhe krimit, ndërsa për këtë flasin edhe shifrat që u përmendën se në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Krimin e Organizuar janë dorëzuar 181 kallëzime penale. Kjo është pothuajse katër herë e gjysmë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është një sinjal se institucionet më në fund po funksionojnë. Nuk i mbyllin sytë, por veprojnë.
Këto nuk janë vetëm numra. Kjo është dëshmi se Maqedonia po zgjohet, se sistemi më në fund po funksionon. Ky është një konfirmim se po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve.
Shpreh falënderim të veçantë ndaj drejtorit të Drejtorisë Doganore, zotit Boban Nikollovski, si dhe ndaj gjithë ekipit që udhëheq këtë institucion me njohuri, përgjegjësi dhe vendosmëri të palëkundur për t’u kundërvënë çdo padrejtësie, çdo keqpërdorimi dhe çdo personi që përpiqet të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Njëkohësisht, më lejoni t’i falënderoj të gjithë anëtarët e Qeverisë që mbështesin punën e këtij institucioni, sepse ky institucion ka rëndësi kyçe për shtetin.
Qytetarët e njohin qasjen e re. E dinë që nuk premtojmë mrekulli, por punojmë çdo ditë – nga mëngjesi herët deri vonë në mbrëmje – për të ndërtuar një sistem që nuk varet nga librezat partiake, por nga drejtësia, llogaridhënia dhe barazia.
Sigurisht, e di që na presin edhe shumë sfida. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë që sjell përditshmëria. Por jam po ashtu i bindur se koha e Maqedonisë po vjen. Dhe atë kohë do ta krijojmë me punë të ndershme dhe të përkushtuar. Jo me gënjeshtra, jo me marrëveshje kriminale, por me vepra dhe rezultate.
Ky raport i Drejtorisë Doganore është pikërisht kjo, dëshmi për ndryshim.
Sot, nuk bëjmë vetëm llogaridhënie. Sot, dërgojmë mesazh: Maqedonia di të përballet me sfidat.
Di të luftojë. Dhe di të fitojë.
Kohë e përgjegjësisë, drejtësisë dhe përparimit.
Kohë kur institucionet nuk u shërbejnë individëve, por popullit.
Dhe nuk do të ndalemi.
Asnjë ditë nuk do të humbet.
Çdo ditë do të jetë një hap i ri drejt së ardhmes së re që po ndërtojmë – një shtet të ndershëm, të fuqishëm dhe me prosperitet.