Mickoski: Filloi ndërtimi i interkonektorit gazsjellës me Greqinë me vlerë prej 60 milionë eurosh – po bëhemi një udhëkryq i rëndësishëm energjetik

Sot fillojmë një tjetër investim kapital për vendin.
Sot nuk shënojmë vetëm fillimin e ndërtimit të një gazsjellësi. Por shënojmë fillimin e një periudhe të re, më të sigurt nga ana energjetike, ekonomikisht më efikase dhe strategjikisht më fitimprurëse për të gjithë ne.
Ky nuk është vetëm një investim në tuba dhe beton, por një kontribut tjetër i rëndësishëm për pavarësinë dhe stabilitetin energjetik të vendit, për zhvillimin e tij të përgjithshëm ekonomik dhe për të ardhmen e tij të begatë.
Përmes realizimit të këtij projekti, si dhe lidhjeve të njoftuara me sistemet e tubacioneve të gazit të fqinjëve tanë të tjerë, po bëhemi një udhëkryq i rëndësishëm energjetik, gjë e cila pres që do të sjellë përfitime konkrete për të gjithë rajonin, dhe mbi të gjitha për qytetarët maqedonas dhe ekonominë vendore.
Ajo që po bëjmë sot nuk është simbolikë. Ky është një ndryshim themelor. Kjo është dëshmi se, kur ia nisim punës, kur kemi një vizion dhe kur sundon përgjegjësia – çdo gjë mund të bëhet.
Po punojmë. Po ndërtojmë. Po krijojmë. Jo me fjalë, por me vepra.
Ky interkonektor gazsjellës do të sjellë burime të reja të gazit natyror, furnizim të qëndrueshëm për industrinë dhe amvisëritë, çmime më të ulëta për qytetarët, konkurrencë më të madhe për kompanitë dhe një porosi të fuqishme – më në fund po bëhemi pjesë e rrjetit energjetik evropian.
Me këtë projekt, do të ndërtojmë një gazsjellës 66.7 kilometrash në territorin maqedonas, me tuba me diametër prej 700 milimetrash. Siç tha drejtori, kapaciteti fillestar është 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, i cili mund të rritet në 3 miliardë. Është energji për rritje. Është karburant për ekonominë. Është siguri për të ardhmen.
Vlera e përgjithëshme e projektit është rreth 3.7 miliardë denarë, ose rreth 60 milionë euro. Me mbështetjen e këtij projekti nga Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Bashkimi Evropian, tregojmë se mund të bëjmë shumë më tepër.
Të jemi të sinqertë – ky projekt nuk është një ide e re. Por deri më tani ka mbetur vetëm një ide. Edhe pse ishte premtuar më parë, nuk u nis kurrë.
Prandaj, sot nuk po bëjmë një spektakël për të mashtruar njerëzit, por për të treguar se po punojmë me përgjegjësi, këmbëngulje dhe qëllime të vërteta – rezultatet po arrijnë.
Dhe kjo është vetëm një pjesë e pamjes më të madhe.
Po lidhemi me tubacionet e gazit të fqinjëve tanë. Kjo do të na bëjë një udhëkryq rajonal të energjisë. Kjo do të thotë më shumë zgjedhje, më shumë stabilitet dhe shpenzime më të ulëta. Kjo do të thotë se nuk do të jemi më në fund të rrjetit, por në zemër të rrjedhës rajonale energjetike.
Sepse kjo është puna jonë – të ndërtojmë atë të ardhme. Ne jemi këtu për të ndërtuar diçka më të mirë. Ne i përveshëm mëngët, morëm përgjegjësinë dhe filluam të hedhim themelet.
Themelet e rrugëve dhe autostradave të reja. Themelet e investimeve dhe zonave të reja industriale. Themelet e spitaleve dhe shkollave të reja. Themelet e një arkitekture të re energjetike.
Sot, ne tregojmë përsëri se nuk po qëndrojmë në vend, po lëvizim. Nuk presim – ndërtojmë. Po krijojmë mundësi të reja. Po ndërtojmë themelet e ndryshimeve.
Prandaj, ky nuk është fundi – ky është fillimi i diçkaje më të madhe.
Ky është një mesazh për çdo investitor, për çdo qytetar, për çdo të ri – se këtu, në këtë shtet, ka vend për zhvillim, për mundësi, për stabilitet.
Do të vazhdojmë të punojmë. Do të vazhdojmë të ndërtojmë. Do të vazhdojmë të krijojmë të ardhmen e re maqedonase. Sepse koha që po vjen nuk është vetëm një slogan. Është një realitet që po e krijojmë së bashku.
Rroftë puna dhe vizioni. Rroftë e ardhmja që po e ndërtojmë me duart tona.