Mickoski: Ju shtrijmë dorën investitorëve vendorë dhe të huaj, jo vetëm në mënyrë deklarative, por thelbësore

Sot zhvilluam një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm me Këshillin për investime të huaja – një trup i përbërë nga përfaqësues të kompanive kryesore të huaja që tashmë po investojnë në Maqedoni dhe që kanë ndjekur politikat ekonomike në vend për vite me radhë.
Në dialog, folëm hapur për sfidat, por edhe për potencialet që ofrojmë.
Është e qartë se kemi ndryshime që duhet t’i vazhdojmë së bashku.
Gjetëm një pamje të vështirë dhe një realitet që po e ndryshojmë.
Sot kemi një ekonomi në rritje, një industri e cila prodhon, eksport I cili po rritet dhe investitorë që shohin përsëri një mundësi këtu, në vend, në Maqedoni.
– Rritja reale e produktit të brendshëm bruto në tremujorin e parë të vitit 2025 është 3.2 përqind. Kjo nuk është rastësi – është rezultat i politikave të qëndrueshme dhe punës së palodhur;
– Në periudhën janar-maj, eksporti është rritur me 3.15 përqind, ndërsa importi shënon një rritje prej vetëm 1 përqind. Kjo është një shenjë se po bëhemi më konkurrues, se po prodhojmë më shumë dhe po plasojmë më shumë në tregjet e huaja;
– Prodhimi industrial në muajin maj u rrit me 9.4 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gjithnjë e më shumë fabrika po punojnë, gjithnjë e më shumë linja po hapen, gjithnjë e më shumë punëtorë po kthehen në repartet e prodhimit;
– Deficiti tregtar është zvogëluar me rreth 80 milionë dollarë në dy muajt e parë të tremujorit të dytë, këtu po flasim për muajt prill dhe maj, që është një rënie prej 13 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar;
– Dhe së fundmi, vitin e kaluar patëm investime të huaja që kanë rekordin e tyre prej 1 miliard e 255 milionë eurosh.
Kjo është një pamje ndryshe nga ajo që trashëguam. Qeveria e dikurshme nuk luftonte për investime – luftonte për provizione. Nuk ua hapnin dyert investitorëve – i përzinin. Nuk ndërtonin besim – ndërtonin skema për përfitime personale. Rezultati ishte ngecje ekonomike, mundësi të humbura dhe qytetarë të varfëruar.
Sot, situata është ndryshe.
Ua shtrijmë dorën investitorëve vendorë edhe atyre të huaj. Jo vetëm në mënyrë deklarative, por thelbësore, përmes mbështetjes institucionale, rregullave të parashikueshme dhe komunikimit të drejtpërdrejtë. Problemet i zgjidhim së bashku.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se qytetarët ende jetojnë vështirë dhe se mungesa e të hollave është e pranishme. Por ndryshimet do të japin rezultate konkrete shumë më shpejt dhe ne po bëjmë përpjekje që kjo të ndodhë sa më parë dhe sa më fuqishëm, efektet e këtij rritmi të ri ekonomik patjetër do të ndihen dhe jam i sigurt se po lëvizim në drejtimin e duhur.
Mund t’ju njoftoj se po zhvillohen bisedime aktive për investime të reja në industrinë e automobilave, sektorin e IT-së, logjistikë dhe përpunimin agro-ushqimor. Po ashtu, jemi në bisedime me SHBA për lehtësime doganore dhe besoj se do të jemi në grupin e vendeve që së shpejti do të shpallen, të cilat do të kenë kushte më të favorshme për të eksportuar në tregun amerikan.
E gjithë kjo nuk ndodh brenda natës. Por vjen tullë pas tulle, sepse po ndërtohen themelet e ndryshimeve.
Ne nuk premtojmë mrekulli, por shumë punë. Çdo ditë. Për çdo investim, për çdo vend të ri pune, për çdo denar më shumë në buxhet, për çdo hap përpara të shtetit.
Kjo është koha e rezultateve reale.
Koha e patriotizmit ekonomik.
Kjo është koha kur më e mira po vjen.