Sot, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e 80 vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri, në deklaratën e tij, shprehu falënderim të madh për punën dhe angazhimin e Kryqit të Kuq lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan.

“Shpreh falënderim të madh për gjithçka që ka bërë dhe që po bën Kryqi i Kuq në lidhje me ngjarjen e tmerrshme dhe tragjike në Koçan. Patëm mundësinë të shohim edhe raportin e revizionit që është përgatitur për mjetet që janë akumuluar dhe që pjesërisht janë shpenzuar; ka mbetur edhe një pjesë e vogël. Mund të them se ata kanë bërë një punë vërtet të madhe, ne atëherë e nisëm bashkërisht atë aktivitet, i kanalizuam të gjithë bamirësit që donin të ndihmonin, për t’i orientuar konkretisht kontributet e tyre përmes Kryqit të Kuq dhe llogarisë që e hapi Kryqi i Kuq, si llogarisë në denarë ashtu edhe atë devizore, bënë një punë me të vërtetë të shkëlqyer dhe për këtë jam shumë mirënjohës”, tha Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria duhet të ketë një bashkëpunim më të madh me Kryqin e Kuq dhe se ai personalisht do të angazhohet për ta zgjeruar këtë bashkëpunim.

“U dakorduam bashkërisht se është e nevojshme që në një nivel më të lartë dhe më të madh ta rrisim bashkëpunimin mes Qeverisë dhe Kryqit të Kuq. Unë dhashë fjalën se ky aktivitet do të ketë fokusin tim personal dhe individual në të ardhmen dhe se shumë shpejt sot në kuadër të Qeverisë, së bashku me ministrat dikasterial, do të organizojmë një takim për të parë se cilat nga programet që kanë ministritë, me fokus kryesor Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, mund të bashkëpunojmë së bashku me Kryqin e Kuq. Prandaj, edhe njëherë dëshiroj t’i falënderoj dhe uroj që të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe më shumë në të ardhmen,” përfundoi Kryeministri Mickoski.