Me nder të veçantë dhe ndjenjë përgjegjësie, sot ju drejtohem në konferencën që e hap thelbin e një çështjeje të madhe:

Si ta formësojmë ardhmërinë në një kohë kur gjithçka po ndryshon më shpejt se kurrë më parë?

Jetojmë në një botë që bëhet gjithnjë më dinamike, ndonjëherë e paparashikueshme, e mbushur me sfida globale, por edhe me mundësi të mëdha. Në një botë të tillë, çdo shtet duhet të vendosë modelin e vet të zhvillimit. Ndërsa më të fuqishmit do të jenë ata që do të ndërtojnë komunitete të fuqishme lokale.

E ardhmja, të nderuar, nuk nis globalisht dhe në nivel qendror,
E ardhmja nis në nivel lokal. Fillon me një rrugë të ndërtuar në një fshat. Me një rrjet të ri të ujësjellësit. Me një shkollë të rinovuar në një komunë rurale.

Me një ekonomi lokale që ec përpara.

Këto janë themelet e një shteti të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.

Për këtë arsye, si Qeveri, që nga dita e parë kemi vendosur një qëllim të qartë: ta kthejmë shtetin në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të zhvillimit lokal. Sepse zhvillimi nuk duhet të varet nga gjeografia, përkatësia politike apo ekspozimi mediatik, por nga nevojat reale të njerëzve.

Pikërisht për këtë arsye, e shpallëm thirrjen publike për aplikim për linjën investuese që Qeveria e siguron për projekte kapitale të komunave në shumë prej 250 milionë euro. Sot mund të kumtoj se në kuadër të kësaj thirrjeje janë përcaktuar gjithsej 829 projekte lokale nga i gjithë vendi.

Projekte me vlerë të përgjithshme prej pothuajse 14 miliardë denarësh.

Kjo është mbështetja më e madhe direkte ndonjëherë nga buxheti kombëtar për zhvillimin lokal.

Nga këto projekte, 590 janë në fushën e transportit dhe infrastrukturës – rrugë të reja, rrugë lokale, ura, sheshe, sipërfaqe publike.

Ndërsa 143 projekte janë të orientuara drejt mjedisit jetësor – rrjete kanalizimi, ujësjellës, stacione pastrimi, sipërfaqe të gjelbra, masa për efikasitet energjetik.

Çdo komunë fiton mundësi.
Çdo qytet dhe çdo fshat fiton shans për zhvillim.

Dhe kjo nuk është e rastësishme.
Kjo është rezultat i një qasje sistematike dhe vizioni të qartë.

Në këtë drejtim, e forcuam edhe rolin e Këshillit për zhvillim të barabartë rajonal. Këshilli sot ka një funksion kyç koordinues dhe mundëson shpërndarje më të mirë dhe më të drejtë të mjeteve buxhetore – bazuar në analiza reale në terren, nevoja dhe strategji lokale.

Krijojmë mekanizëm për investim të koordinuar dhe strategjik në të gjitha pjesët e vendit – në mënyrë të barabartë, pa dallime politike, me fokus te qytetari dhe ardhmëria.

Në këtë mision të përbashkët, nuk jemi vetëm.

Më lejoni të shpreh falënderim të veçantë për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë – Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, Bankën Botërore, bashkëpunimin zhvillimor zviceran dhe gjerman, USAID-in dhe shumë të tjerë.

Mbështetja juaj nuk është vetëm financiare. Ajo është edhe mbështetje me vlera. Ajo është në dije, përvojë dhe vizion.

Falë jush, sot shumë komuna kanë strategji, aty ku para dhjetë vitesh kanë pasur vetëm probleme.

Zhvillimi rajonal nuk është një detyrë shtesë. Zhvillimi rajonal është parakusht për stabilitet. Parakusht për barazi. Parakusht për një Maqedoni vërtet evropiane.

Nuk ka Evropë në vend nëse e gjithë ekonomia nuk rrotullohet rreth të gjitha komunave, rreth të gjitha vendbanimeve. Sot, për fat të keq, gjithçka që shohim sillet kryesisht rreth një qyteti, ndërsa pjesa tjetër e vendit jeton me vështirësi.

Për këtë arsye duhet ta shkurtojmë hendekun zhvillimor ndërmjet rajoneve. Të ndërtojmë një shtet në të cilin secili ka mundësi të barabarta, pa marrë parasysh ku ka lindur dhe ku jeton.

Për këtë arsye themi: Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve – për kohën që po vjen për ju.

Ky nuk është vetëm mesazh.
Kjo është një detyrë.
Kjo është një punë e përditshme – në terren, në institucione, në partneritet me ju.

Me çdo projekt të ri lokal.
Me çdo kopsht për fëmijë të hapur.
Me çdo bujk apo zejtar të mbështetur.
Me çdo infrastrukturë të re në mjedis urban apo rural – ne ndërtojmë ardhmërinë.

Do ta përfundoj me një mesazh që më udhëheq që nga dita e parë:

Shteti nuk ndërtohet nga qendra drejt periferisë. Shteti ndërtohet nga themelet lart.

Dhe ato themele janë në çdo komunë, në çdo komunitet lokal, në çdo shtëpi.

Me atë vizion, me atë vendosmëri dhe me atë energji partneriteti, do të vazhdojmë përpara.

Për një vetëqeverisje lokale të fuqishme.
Për një shtet të drejtë.
Për një Maqedoni moderne.