Kryeministri Hristijan Mickoski, në intervistë në emisionin “Vetëm Intervistë” në Televizionin Kanal 5, iu referua kërkesave të pensionistëve në lidhje me çështjen e rritjes lineare të pensioneve, duke paralajmëruar një rritje të re në gjashtë muajt e ardhshëm.

Kryeministri Mickoski tha se po bëhen analiza për rritje lineare të pensioneve edhe atë 1.000 denarë këtë vjeshtë dhe 1.000 të tjera në pranverë, pra gjithsej 2.000 denarë rritje lineare për gjithë pensionistët në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Jemi të angazhuar seriozisht në këtë analizë, bëjmë vlerësime se sa do të ishte rritja në përqindje, sa do të ishte volumi i masës së parave, ta ndajmë me numrin e pensionistëve. Bëjmë analizë me qëllim që pensionet të rriten në mënyrë lineare me nga 1.000 denarë këtë tetor, kur të marrin pensionin dhe në prill për muajin mars, gjegjësisht rritje lineare prej 2.000 denarësh të ketë për të gjithë pensionistët brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Jemi shumë seriozë në këtë analizë dhe shumë shpejt, pasi kjo duhet të ndodhë para shpalljes së zgjedhjeve, qoftë përmes ligjit me procedurë të shkurtuar apo përmes një grup deputetësh, do ta parashtrojmë atë,” tha Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se kudo që shkon dhe bisedon me pensionistët, ata kërkojnë rritje lineare dhe për këtë arsye Qeveria është shumë afër miratimit të një vendimi të tillë.