Kryeministri Hristijan Mickoski sot në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së do ta mbështesë interpelancën e prokurorit publik Lupço Kocevski, tha se si parti politike dhe ai si person nuk i ndërrojnë qëndrimet brenda natës.
“Opinioni publik do të shohë nesër, por edhe si parti politike dhe unë si njeri nuk i ndërroj qëndrimet brenda natës, u përgjigj Mickoski në një deklaratë për media pas hapjes në SHF “Nevena Georgieva-Dunja” në komunën Kisella Vodë.
Ndryshe, interpelanca për punën e prokurorit publik Lupço Kocevski e parashtruar më 26 qershor nga grupi i deputetëve të Së Majtës është vendosur si pikë në rendin e ditës të seancës së 64-të të Kuvendit.
Kocevski, të premten, dorëzoi një përgjigje me shkrim ndaj interpelancës së paraqitur nga deputetët Dimitar Apasiev, Borisllav Kërmov, Rexhep Ismail, Jovana Mojsoska, Amar Mecinoviq dhe Sashko Jançev. Në të, ai deklaron se e kryen funksionin e tij me ndershmëri dhe përgjegjësi, me respekt maksimal për parimet e transparencës dhe llogaridhënies, se interpelanca është e ndaluar me ligj dhe se institucioni është subjekt i sulmeve të pabaza, të cilat janë arsyeja e besimit të ulët të publikut.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me përdorimin e automjeteve zyrtare natën vonë nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, kryeministri tregoi se nëse i kanë përdorur automjetet për qëllime partiake, duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve.