Në seancën e sotme për pyetje të deputetëve në Kuvend, deputetja Dragana Bojkovska i drejtoi pyetje kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me investimet kapitale që kanë të bëjnë me komunat nga thirrja e dytë e kredisë hungareze, cilat janë projektet, çfarë lloji janë dhe çfarë përfitimi do të sjellin për qytetarët.
“Kjo ndodh për herë të parë në Maqedoni, një lloj i tillë investimi që nga Qeveria shkon drejtpërdrejt për komunat. Në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të shumë projekteve të Qeverisë që kanë pasur një fokus të caktuar dhe një optikë ndryshe, ndërsa kjo është një qasje krejtësisht tjetër. Jam shumë i kënaqur, sepse nuk ka ndjenjë më të mirë se kur organizohet një ngjarje dhe mblidhen kryetarët e komunave nga të gjitha komunat, nga të gjitha partitë politike që kanë kryetar komune, por edhe ata të pavarur dhe të cilët në praninë time nënshkruajnë marrëveshje për realizimin e këtij lloji projektesh.
Ky projekt përfaqëson një model se si duhet të funksionojë shteti kur kemi interes të përbashkët. Në këtë rast, ai interes i përbashkët janë projektet në komuna. Dhe të gjithë ata, pa asnjë vërejtje, erdhën dhe nënshkruan marrëveshje në harmoni të plotë dhe ky është shembulli se si duhet të funksionojë. Nga njëra anë, kjo është e mirë për qytetarët, të cilët nuk janë ata që duhet të paguajnë çmimin për shkak të dallimeve politike që kanë politikanët,” theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri theksoi se kemi 1.200 kantierë ndërtimi, aktiv dhe të ardhshëm, në gjithë vendin dhe se kjo është e mirë për biznesin, pasi kompanitë ndërtimore po ndërtojnë bulevarde, salla sportive, parqe, shkolla, çerdhe dhe investime të tjera kapitale. Ai shtoi se deri tani, vlera e përgjithshme e investimeve është mbi 20 miliardë denarë dhe se i gjithë procesi është plotësisht transparent.
“Edhe vetë fakti që askush nuk e mohon dhe nuk kundërshton, përkundrazi edhe opozita falënderon dhe kjo është mirë. Ja të themi, kryetari i një komune në juglindje të Maqedonisë doli dhe publikisht shprehu falënderim, po ashtu edhe kryetarë të tjerë të komunave nga opozita dolën dhe u falënderuan dhe ky shembull duhet ndjekur. Kjo është mirë sepse nga e njëjta opozitë kemi dëgjuar akuza se kinse bëhet fjalë për pushtet absolutist, se unë paskam qenë despot dhe kam pasur sjellje me elemente despotike, ndërsa nga ana tjetër i shprehin falënderim Qeverisë që financon dhe mbështet komuna që nuk janë vetëm pjesë e pushtetit, por edhe nga opozita,” shpjegoi Mickoski.