Përhapja e madhe e zjarreve si pasojë e erërave të forta në ishullin jugor grek, Kretë, i ka detyruar mijëra banorë dhe turistë të evakuohen, thanë zyrtarët të enjten.

Moti i nxehtë dhe i thatë në Greqi – që nuk është i pazakontë për këtë periudhë të vitit – e ka rritur rrezikun e përsëritjes së zjarreve verore që goditën vendin në vitet e fundit.

Në Kretë, rreth 5.000 njerëz janë evakuuar për shkak të zjarreve që shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës, tha të enjten presidenti i Shoqatës Rajonale të Hoteleve për AFP.

Yorgos Tzarakis tha se rreth 3.000 turistë dhe 2.000 banorë janë larguar, kryesisht gjatë natës, si “masë paraprake” nga zonat pranë qytetit turistik të Ierapetras në Kretë.

Më herët, nënprefekti Yannis Androulakis i tha transmetuesit grek Mega se “evakuimet u kryen në shumë hotele dhe turistët u transferuan në mënyrë të sigurt në një palestër të mbyllur në komunën e Ierapetras”, në juglindje.

Autoritetet vepruan sepse avionët zjarrfikës nuk ia dolën të arrinin zonat e prekura gjatë natës, shtoi ai.

“Momentalisht, ka tri fronte aktive” tha Androulakis. “Për shkak të erërave të forta, zjarri ka përparuar me shpejtësi”.

Rreth 270 zjarrfikës, 10 helikopterë dhe dronë janë dërguar për t’i luftuar zjarret, tha Vassilios Vathrakoyannis, zëdhënës i shërbimit zjarrfikës.

Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po shkaktojnë zjarre më të shpeshta dhe më intensive dhe katastrofa të tjera natyrore. /REL