Në Bosnje e Hercegovinë nisi të martën Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë tri ditëve të ardhshme, mijëra pjesëmarrës do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.
Pas një rrugëtimi prej rreth 110 kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk, pranë Tuzllës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më njëmbëdhjetë korrik shënohet tridhjetë vjetori i masakrës.
Atë ditë, atje do të varrosen mbetjet e shtatë viktimave të masakrës që u gjetën gjatë vitit të kaluar, shkruan Evropa e lirë.
Mbetjet mortore të Fata Bektiqit u gjetën në një varr pranë Potoçarit në qershor të vitit 2021, ndërsa analiza e ADN-së dhe identifikimi përfunduan në janar të këtij viti.
Tri dekada pas gjenocidit në Srebrenicë, kujtimi i Fatës jeton në letërnjoftimin e vjetër
Më njëmbëdhjetë (11) korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vranë mbi tetë mijë burra dhe djem boshnjakë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Krimi u njoh nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si gjenocid.