Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor z. Izet Mexhiti, sot realizoi një takim pune me shefin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Dr. Akim Ali dhe koordinatoren e procesit Simona Atanasova, në të cilin u prezantua versioni përfundimtar i Strategjisë së Bashkëpunimit për periudhën 2026-2030.

Strategjia përfaqëson një kornizë kyçe për punë të përbashkët midis OBSH-së dhe institucioneve shtetërore gjatë pesë viteve të ardhshme, me një fokus të qartë në shëndetin publik, ndryshimet klimatike dhe cilësinë e mjedisit. Strategjia e re është në përputhje me prioritetet kombëtare të shëndetësisë, qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministri Mexhiti thekësoi se integrimi i shëndetit dhe ekologjisë nuk është vetëm një domosdoshmëri, por një detyrim për brezat e ardhshëm.

“Kujdesi për mjedisin është një shqetësim i drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve tanë. Prandaj, Ministria do të vazhdojë të jetë një nxitës i politikave që e përmirësojnë cilësinë e ajrit, ujin e pastër, përshtatjen ndaj klimës dhe planifikimin e qëndrueshëm urban – si parakushte kryesore për shëndet dhe mirëqenie më të mirë. Kjo strategji konfirmon angazhimin tonë që të veprojmë në kohë, në mënyrë të përgjegjshme dhe sistematike”, potencoi ministri Mexhiti.

Ky kokument i njeh lidhjet e forta midis mjedisit dhe shëndetit – me një fokus të veçantë në cilësinë e ajrit, ujin e pijshëm të sigurt, menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme, planifikimin e qëndrueshëm urban dhe uljen e përgjithshme të ekspozimit të qytetarëve ndaj rreziqeve mjedisore dhe klimatike, si parakushte për një gjendje më të mirë shëndetësore të popullsisë dhe uljen e rreziqeve shëndetësore të shkaktuara nga mjedisi.

Në hartimin e Strategjisë morën pjesë mbi 150 përfaqësues nga institucione, organizata qytetare, grupe rinore dhe partnerë zhvillimorë, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor luajti një rol kyç në përfshirjen e aspekteve ekologjike si një komponentë thelbësor e shëndetit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Hapi i ardhshëm është nënshkrimi i përbashkët i Strategjisë në një takim ndërsektorial në vjeshtën e vitit 2025, me pjesëmarrjen e kryeministrit, ministrit të shëndetësisë, drejtorit rajonal të OBSH-së dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet një partner i fortë në promovimin e shëndetit publik dhe mbrojtjes së mjedisit – me një qëllim të qartë: të krijojmë një shtet më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë.