Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock shpenzon 21 mijë euro vetëm për grim në tre muaj

Kabineti i ish-kancelarit gjerman Olaf Scholz ka shpenzuar pothuajse 590 mijë euro nga fondet publike për grimerë dhe stilistë që u shërbyen zyrtarëve të qeverisë gjermane midis vitit 2022 dhe marsit 2025, shkruan gazeta Bild, duke iu referuar të dhënave zyrtare.
Shpenzimet më të mëdha i janë atribuar ish-ministres së Jashtme Annalena Baerbock, e cila vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 ka shpenzuar 21 mijë euro për grimin, që i bie rreth 248 euro në ditë. Grimerja e saj e përhershme, Claude Frommen, raportohet se ka marrë 7,500 euro në muaj dhe e ka shoqëruar Baerbock gjatë udhëtimeve zyrtare – gjë që ka ngjallur kritika të ashpra, sidomos për shkak të deklaratave të qeverisë rreth krizës ekonomike në Gjermani.
Pas saj renditet vetë ish-kancelari Olaf Scholz, me një total prej 13 mijë euro të shpenzuara për këto shërbime, ndërsa ish-zëvendëskancelari Robert Habeck ka shpenzuar dukshëm më pak – vetëm 598 euro gjatë tre muajve të parë të vitit 2025.
Gazeta Bild thekson se këto shifra nuk përfshijnë shpenzime të tjera si veshje, parukierë apo fotografë.
Këto shpenzime kanë ngjallur kritika të ashpra nga partitë opozitare. Partia CDU ka kërkuar vendosjen e kufizimeve, ndërsa Shoqata e Tatimpaguesve i ka cilësuar këto shpenzime si “të tepruara”, veçanërisht në një kohë kur ekonomia gjermane po kalon periudhë kursimi dhe ngadalësimi.
Kujtojmë se qeveria e Scholz mori pushtetin në dhjetor të vitit 2021, por ra në nëntor 2024 për shkak të përçarjeve brenda koalicionit qeverisës. Pas zgjedhjeve të parakohshme në shkurt 2025, u formua një qeveri e re e udhëhequr nga Friedrich Merz.
Ky raport publikohet në një moment kur ekonomia gjermane është në rënie. PBB-ja e vendit u tkurr me 0.2% në vitin 2024, pas një rënieje prej 0.3% në vitin 2023. Rënia është shkaktuar nga çmimet e larta të energjisë, normat e larta të interesit dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.