Një 23-vjeçar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta pranë liqenit të Shkopetit, mbrëmjen e së martës.

Sipas njoftimit të policisë, i riu është gjetur pa shenja jete pranë liqenit, ndërsa automjeti i tij kishte rënë brenda në ujë.

23-vjeçari u gjet pas denoncimit të bërë nga babai i tij në Komisariatin e Policisë së Matit, pasi i riu nuk ishte kthyer në banesë.

Pas disa orësh kërkimesh nga forcat e policisë, trupi i pajetë u konstatua pranë liqenit, ndërsa makina ishte fundosur në ujë.

Policia njofton se po heton në lidhje me rrethanat dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i plotë i Policisë

“Mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat, shtetasi R. D., i cili ka kallëzuar se djali i tij, shtetasi R. D., 23 vjeç, nuk ishte kthyer në banesë.

Shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit. Pas disa orësh kërkimesh, ato kanë gjetur trupin e pajetë të të riut pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen.

Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftim.