Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se furnizimi me ujë në Klinikën Universitare për Sëmundjet Pulmonare tek Fëmijët në Kozle është rikthyer në gjendje normale. Si pasojë, spitali po funksionon me kapacitet të plotë dhe shtrimi i pacientëve vazhdon pa asnjë pengesë.

“Ministria mbetet e përkushtuar për të monitoruar nga afër situatën dhe për të siguruar kujdes të vazhdueshëm shëndetësor për pacientët më të vegjël,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Kujtojmë se një ditë më parë, klinika u përball me ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të një defekti teknik. Gjatë kësaj kohe, pranimi i pacientëve u orientua drejt klinikave të tjera për të garantuar vazhdimin e shërbimeve mjekësore.