Mucunski në Londër në biseda për përforcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, me ftesë të sekretarit shtetëror për punë të jashtme, Dejvid Lami, prej sot do të qëndrojë për vizitë treditëshe në Mbretërinë e Bashkuar.
Siç kumtoi MPJTJ, në kuadër të vizitës, përveç takimit me nikoqirin e tij, sekretarin Lami, është parashikuar që Mucunski të takohet edhe me nënsekretarin shtetëror parlamentar dhe ministër për shërbime, biznese të vogla dhe eksport në Ministrinë për biznes dhe tregti, Garet Tomas. Gjithashtu, në forumin e biznesit të organizuar nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Londër, ministri do t’i prezantojë potencialet ekonomike dhe mundësitë për investime në vend para disa kompanive britanike.
Në parlamentin britanik, ministri Mucunski do të realizojë takim me anëtarët e Grupit parlamentar për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në think-thenkun me renome “British Foreign Policy Group”, do të mbajë fjalim dhe diskutim me temën roli i Maqedonisë së Veriut në sigurinë euroatlantike dhe stabilitetin rajonal”, qëndron në kumtesë.
Qëllimi i vizitës, siç u tha nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jshtme, është intensifikimi i marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe duke forcuar dialogun politik dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, veçanërisht pas nënshkrimit të marrëveshjes së partneritetit të investimeve. Fokusi i bisedimeve do të jetë në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi çështjet kryesore rajonale, evropiane dhe globale.