Jam i bindur që shkëmbimi i sotëm i mendimeve do të na përafrojë drejt krijimit të mekanizmit të mirëorganizuar, të besueshëm dhe efikas për skriningun – mekanizëm i cili do të përforcojë rrugën tonë drejt BE-së, si dhe sigurinë tonë nacionale ekonomike, tha ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani në hapjen e punëtorisë dyditore me temë: “Aspektet kyçe në zhvillimin e mekanizmit të ri për skriningun e investimeve të huaja të drejëpërdrejta në Maqedoninë e Veriut”, e cila po mbahet sot dhe nesër në Shkup.

Ngjarja është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së tregtisë të SHBA-së përmes Programit për Zhvillimin e Ligjit Tregtar (CLDP), në koordinim me Departamentin e Shtetit, Ministrinë e financave të SHBA-së dhe Ambasadën Amerikane në Shkup, ndërsa marrin pjesë edhe ekspertë nga Çekia dhe Rumania.

“Kjo punëtori po ndodh në kohën e duhur Aktualisht po punojmë në përgatitjen e mekanizmit nacional për skriningun e investimeve të drejëpërdrejta të huaja (IDH), e cila është përpjekje kyçe politike dhe juridike për vendin tonë. Pas vendimit të fundit të Qeverisë për ripërtrijen e mandatit, ndihem krenar që e udhëheq këtë proces në cilësinë e Ministërit për Çështje Evropiane. Sërish e aktivizuam në grupin ndërinstitucional të punës, dhe sot disa prej anëtarëve të tij janë prezentë. Në kuadër të kësaj strukture, një grup më e vogël tashmë ka filluar punën në përpilimin e versionit të parë të ligjit”, tha Murtezani dhe shtoi se përvoja e Çekisë dhe Rumanisë si vende-anëtare të BE-së me mekanizma funksionalë tashmë të vendosur për skrining do të na ndihmojë në përcaktimin e drejtimit.

Kjo, shtoi, nuk është vetëm një reformë ligjore, por edhe strategjike për të mbrojtur interesat kombëtare dhe potencialin e investimeve të vendit.

“Qëllimi ynë është të krijojmë mekanizëm që në të njëjtën kohë do të mbrojë interesat nacionale, i cili do të jetë në harmonzim me rregullat dhe pritshmëritë e BE-së, ndërsa më pas të sigurojë që Maqedonia e Veriut mbetet e hapur për investime të huaja të qëndrueshme dhe produktive”, theksoi Murtezani.

Këto aktivitete, siç tha, janë gjithashtu ngushtë të lidhura me procesin tonë të aderimit në BE.

“Komisioni Evropian, në Raportin e fundit të tij për klasterin 6 – Marrëdhënie të Jashtme, e thekson qartë se skriningu i investimeve të huaja të drejëpërdrejta është detyrë e domosdoshme. Porosia nga Brukseli është e qartë: të gjitha vendet kandidate duhet të zhvillojnë sisteme efikase për identifikimin dhe zbutjen e rreziqeve të lidhura me investime të huaja strategjike ose të ndjeshme, veçanërisht në sektorë si infrastruktura kritike, teknologjitë e avancuara dhe të dhënat. Në këtë kontekst, dua të theksoj rëndësinë e Standardeve minimale të përbashkëta të zhvilluara për Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit. Edhe pse mekanizmi ynë nacional do t’i përshtatet realitetit tonë institucional dhe juridik, e vlerësojmë shumë rëndësinë e koherencës rajonale dhe i kemi parasysh këto standarde gjatë zhvillimit të mëtejshëm të procesit”, tha Murtezani.