I dyshuari për vrasjen e oficerit të ARM-së, Musa Xhavit, vazhdon të mbetet i pakapshëm për policinë. Informacione operative tregojnë se ai ndodhet jashtë vendit, gjë që ka çuar në lëshimin e një fletarresti ndërkombëtar, raporton Alsat.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, gati një javë pas vrasjes së Agim Muharremit, deklaron se hetimet janë ende në vijim dhe se policia është duke punuar për lokalizimin e të dyshuarit. Ai pretendon se motivi i vrasjes është zbardhur, por nuk ofroi asnjë detaj zyrtar mbi shkaqet që çuan në ngjarjen tragjike.

“Ministria e Punëve të Brendshme e ka zbardhur rastin në aspektin e kryerësit dhe masave të ndërmarra. Po veprojmë për të identifikuar vendndodhjen e tij, por nuk mund të jap më shumë detaje rreth hetimit”, tha Toshkovski.

Musa Xhavit, i njohur për të kaluarën e tij kriminale, është arratisur pas vrasjes së fundit dhe prej më shumë se një viti ka shmangur ndjekjen e organeve të rendit. Ai është i dyshuar edhe për një vrasje tjetër të ndodhur më 1 korrik 2023, kur në Batincë të Shkupit u vra Abdyl Ibraimi, 34 vjeç. Edhe kjo ngjarje dyshohet se lidhet me hakmarrje mes grupeve kriminale.

Burime nga policia thonë se, pas daljes nga burgu për armëmbajtje pa leje, Xhavit u përfshi në rrjetet kriminale të përfshira në vrasje të profilit të lartë në Shkup dhe më gjerë. Por mbetet e paqartë se si ai ka arritur të hyjë e të dalë nga vendi pa u ndaluar, të kryejë një tjetër vrasje dhe madje të kërcënojë persona të tjerë pa u vënë në pranga.

Ndërkohë, as Policia dhe as Agjencia për Siguri Kombëtare nuk kanë ofruar përgjigje konkrete për këtë dështim të vazhdueshëm në kapjen e një personi të rrezikshëm dhe të njohur për precedentë të shumtë penalë.