Një komunitet beduinësh palestinezë ka akuzuar kolonët izraelitë për therjen e 117 deleve gjatë një sulmi të natës në Luginën e Jordanit, në një përpjekje të dukshme për të larguar barinjtë nga toka e tyre në Bregun Perëndimor.

Sipas banorëve të komunitetit Arab al-Kaabaneh, Reuters raporton se, kolonët jo vetëm që kanë vrarë dhjetëra kafshë, por edhe kanë vjedhur qindra të tjera, duke shkaktuar dëme të mëdha për jetesën e tyre që varet nga blegtoria.

Sipas Reuters, ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë mbi incidentin, ndërsa bëhet e ditur se janë thirrur shumë veterinarë për të trajtuar disa nga delet që i kanë mbijetuar sulmit me armë e me thika. Sipas dëshmitarëve bëhet e ditur se shumë nga kafshët ishin në gjendje shoku dhe dridheshin nga frika.

Duke folur për Reuters, Salem Salman Mujahed, një banor i komunitetit, ka thënë se sulmi ishte i koordinuar nga disa grupe kolonësh dhe ka akuzuar ushtrinë izraelite për qëndrim pasiv.

“Erdhën afër shtëpive. I pyeta: Çfarë po bëni këtu? Pastaj nisëm të konfrontohemi. Ushtria më arrestoi dhe më vuri prangat,” ka thënë ai, duke shtuar se më pas kolonët kanë sulmuar tufën e deleve të cilat janë thelbësore për mbijetesën ekonomike të komunitetit beduin, me thika e armë.

Kujtojmë se kolonët izraelitë janë qytetarë të Izraelit që jetojnë në vendbanime të ndërtuara nga Izraeli në territoret palestineze të pushtuara, si Bregu Perëndimor dhe Jeruzalemi Lindor. Këto vendbanime konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme dhe janë burim i konflikteve të vazhdueshme me palestinezët.