Një muaj pas përjashtimit të saj të papritur dhe të bujshëm nga radhët e VLEN-it, Nafie Selmani ka ngritur padi në Gjykatën kompetente, duke kërkuar rivendosjen e të drejtave të saj dhe duke denoncuar publikisht presionin, diskriminimin dhe abuzimet e brendshme në këtë subjekt politik. Në një deklaratë të fuqishme publike, Selmani shprehet se nuk do të ndalet në betejën për drejtësi, duke e cilësuar këtë akt si një sulm personal dhe institucional ndaj zërit të lirë dhe femrës së pavarur, transmeton Flaka deklaratën e Selmanit të paraqitur në profilin e saj në Facebook, dhe me autorizim nga ajo.

“Me mirëkuptim, ju lus ta lexoni deri në fund dhe ta shikoni videon e shkurtër,” – shkruan Nafie Selmani në reagimin e saj të bërë publik këtë të martë, më 23 korrik 2025.

Ajo sqaron se:

“Sot bëhet një muaj që mora lajmin për përjashtimin tim tinëzar, qyqar, të paligjshëm dhe pa asnjë precedent nga ana e VLEN-it. Ishte nata e 23 qershorit, një natë e errët jo aq për mua, sa për demokracinë dhe joligjshmërinë si praktikë e këtij vendi.”

Në padi, Selmani kërkon që vendimi të shpallet i pavlefshëm dhe thekson:

“E bëj këtë jo pse kam ndonjë iluzion të madh mbi sistemin aktual të drejtësisë tek ne, por sepse refuzoj të hesht dhe të dorëzohem madje edhe përballë një strukture politike të mbështetur mbi presion, manipulim dhe abuzim me pushtetin.”

Ajo hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, të cilin e cilëson si ekzekutorin e përjashtimit të saj:

“Hajdeni tash, ‘burra’ të VLEN-it! Bëhuni bashkë edhe një herë, me në krye ekzekutorin pa votues, Bekim Qoku…”

Në reagimin e saj, Selmani vë në dukje edhe aspektin gjinor të çështjes:

“Ky përjashtim nuk është akt personal hakmarrës, është një sinjal alarmi për mënyrën se si sillet pushteti, në rastin tim subjekti politik VLEN ndaj atyre që refuzojnë të nënshtrohen.”

Në fund të deklaratës, ajo paralajmëron se do ta ndjekë rastin deri në Strasburg:

“Nëse kjo çështje do të kërkojë ndjekje deri në instancat më të larta ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, do të shkoj.”

Për t’i dhënë fund spekulimeve se përjashtimi i saj ka ardhur me kërkesë të Arben Taravarit, Selmani ka publikuar një video nga puna e një komisioni parlamentar. Në të, sipas saj, qartësohet se propozimi për largimin ka ardhur drejtpërdrejt nga Bekim Qoku.

Rasti i Nafie Selmanit ngre pikëpyetje të forta për funksionimin e brendshëm të partive politike, rolin e grave në politikë dhe respektimin e ligjit e të të drejtave të njeriut. Me padinë e saj dhe publikimin e provave, ajo jo vetëm kërkon drejtësi për veten, por sfidon një sistem të tërë përballë të cilit nuk ka ndërmend të nënshtrohet. Flaka