Po bëhen përgatitje për të transferuar sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s.

Duke folur në një konferencë në qytetin gjerman të Wiesbaden, Alexus Grynkewich tha: “Përgatitjet janë duke u zhvilluar, ne po punojmë shumë ngushtë me gjermanët për transferimin e Patriot”.

“Udhëzimet që më janë dhënë kanë qenë të dërgohen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sistemet Patriot janë shumë efektive kundër armëve të sofistikuara ruse si raketat balistike.

Me një rreze radari që tejkalon 150 km, sistemet janë jetësore në mbrojtjen e zonave të mëdha civile dhe infrastrukturës kritike.

Përtej aftësive të tyre teknike, Patriotët sinjalizojnë gjithashtu mbështetje të fortë të SHBA-së dhe NATO-s për Ukrainën, duke rritur moralin dhe duke demonstruar angazhim politik ndaj Kievit.