Pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Nazim Taipi ka shpërndarë një mesazh drejtuar banorëve të komunës së Tearcës, duke theksuar se kandidimi i tij është rezultat i konsultimeve të gjera me qytetarët dhe strukturat partiake shkruan Tetovasot.
“Pas shumë konsultimeve me miq, shokë, anëtarë të degës dhe mbi të gjitha banorët e dashur të komunës sonë, dje mora zyrtarisht konfirmimin nga Kryesia e Aleancës për Shqiptarët, me propozim të kryetarit Arben Taravari, që të rikandidoj për Kryetar të Komunës së Tearcës”, ka shkruar Taipi në një postim të publikuar sot.
Ai e ka quajtur këtë një moment të rëndësishëm jo vetëm për të personalisht, por për të ardhmen e komunës së Tearcës. Sipas tij, që nga njoftimi i kandidaturës ka marrë dhjetëra mesazhe urimi dhe përkrahjeje nga qytetarë të shumtë, për çka është shprehur falënderues.
“Ju falënderoj sinqerisht për besimin dhe mbështetjen tuaj”, ka shtuar ai.
Taipi ka përcjellë edhe një premtim të qartë për qytetarët: “Çdo banor i Komunës së Tearcës, pa dallim vendbanimi, etnie, religjioni apo kulture, do të ketë zërin e tij në vendimmarrjen komunale.” percjelle Tetovasot
Ai ka theksuar se në fokus të platformës së tij do të jenë zhvillimi dhe modernizimi i komunës: “Bashkë do ta bëjmë realitet çdo pikë të platformës dhe programit zhvillimor që synon ta shndërrojë Tearcën në një komunë moderne, të zhvilluar dhe me mundësi të reja për të gjithë!”
Në fund të mesazhit, Taipi ka ftuar qytetarët në takime të drejtpërdrejta: “Na priftë e mbara! Shihemi së shpejti në takime me secilin nga ju, për të ndërtuar së bashku të ardhmen që meritojmë.”TS