Ka vdekur Sefer Idrizi, njëri ndër pacientët më jetëgjatë në botë, nën trajtim hemodialize.

Ish-profesori i gjuhës maqedonase, u nda nga jeta në moshën 61 vjeçare, pas rreth 40 vitesh regjimi hemodialize, si pasojë e humbjes së funksionit të të dyja veshkave

Burri nga Svillarja e Poshtme e Shkupit, gjatë kësaj kohe mbijetoi edhe disa sëmundje malinje, e madje edhe diabetin.

Kësisoj me jetëgjatësinë e tij, u bë simbol i durimit dhe optimizmit edhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Andaj emri i tij u bë referencë suksesi në institucionet mjekësore në Maqedoninë e Veriut.

Për këto 4 dekada, në mungesë të veshkave natyrale, krijoi familje, e së fundi u bë edhe gjysh.

Hemodializa është një terapi zëvendësuese e funksionimit të veshkave të cilës pacienti i nënshtrohet 3 herë në javë.

Me 41 vjet trajtim, britaniku Mahesh Mehta aktualisht është njeriu i gjallë me gjatësinë më të madhe të kohës nën terapinë e hemodializës.