Shef kabineti, ish-Avokat i Shtetit, ish-prokuror dhe të punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit janë në mesin e 17 kandidatëve që kanë aplikuar për funksionin e Avokatit të Popullit, pasi që mbajtësi i deritanishëm i këtij posti, Naser Ziberi, doli në pension në fillim të korrikut, përcjell KDP.

Kandidatura e Driton Nebiut, shef aktual i kabinetit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, ka ngjallur shqetësim në mesin e opinionit juridik për shkak të mundësisë së konfliktit të interesit dhe ndikimit politik mbi një institucion që duhet të jetë mbrojtës i pavarur i të drejtave të qytetarëve. Nebiu është jurist dhe magjistër për të drejtat e njeriut, ndërsa që nga viti 2011 punon në Kuvend si këshilltar. Ai ka qenë aktivist dhe pjsesë aktive e strukturave të partive që përbëjnë koalicionin VLEN.

Në garë është edhe Fehmi Stafa, ish-avokat i shtetit, i cili dha dorëheqje në vitin 2022 gjatë përplasjes publike mes ish-drejtorit të Policisë Financiare Arafat Muarremi dhe prokurores Vilma Ruskoska. Përplasja kishte të bënte me mosrealizimin e konfiskimit të pasurisë së “Transmet”, firmë në pronësi të biznesmenit Sead Koçan, i dënuar në rastin “Trust” nga Prokuroria Speciale.

Kandidat është edhe Shpend Fidani, avokat shtetëror aktual në Shkup, si dhe Ilber Rufati, zëvendës avokat i popullit nga Kërçova. Po ashtu ka aplikuar edhe ish-prokurori Mile Arsenievski, që ka punuar në Prokurorinë Themelore Publike Shkup deri në vitin 2022.

Në listën e publikuar nga Kuvendi janë edhe: Nikolçe Petkovski, shef sektori në MPB, si dhe juristët dhe avokatët: Muhamed Hodai, Faton Seljami, Alban Kardiu, Svetisllav Jovanovski, Shemshi Salai, Doan Sulejmanovski, Feuzi Xhaferi, Fatmir Emrullau, Ilir Ramadani, Emran Ismail dhe Fadil Xhelili.

Sipas ligjit, kandidat për Avokat të Popullit mund të jetë personi që është shtetas i Maqedonisë së Veriut, jurist i diplomuar me përvojë pune mbi nëntë vjet në çështje juridike, me angazhim të dëshmuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe që gëzon reputacion për të ushtruar këtë funksion.

Mandati i Ziberit filloi në janar të vitit 2021 dhe përfundoi pas katër vjetëve e gjysmë, ndonëse me ligj parashihet që të zgjasë tetë vjet. Zgjedhja e tij ishte kontestuar nga opozita shqiptare për shkak se më herët ishte promovuar nga BDI si kandidat për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e vitit 2020.

Përveç boshllëkut në krye të institucionit, Avokati i Popullit funksionon edhe pa pesë zëvendës, mandati i të cilëve ka përfunduar, ndërsa Kuvendi në dy përbërjet e fundit nuk ka shqyrtuar kandidatët për plotësimin e këtyre pozitave.

Në raportin më të fundit, eurodeputeti Thomas Waitz thekson me keqardhje se vazhdon të mungojë progresi në fuqizimin e zyrës së Avokatit të Popullit si institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.