Rezoluta e BE-së alarmon për ndikimin serbo-rus – Aleanca për Shqiptarët: Brukseli e kuptoi, a e kupton edhe VLEN?

Aleanca për Shqiptarët mirëpret dhe përshëndet qëndrimin e qartë dhe të prerë të Parlamentit Evropian, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ngritur alarmin për ndikimet e rrezikshme gjeopolitike që po destabilizojnë Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më gjerë. Në Rezolutën e fundit të miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme (AFET), për herë të parë identifikohet qartë ndikimi i strukturave të huaja, veçanërisht nga Serbia dhe Hungaria, në shërbim të interesave të Rusisë dhe Kinës.

Projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” është përmendur si një ndër kërcënimet më serioze për sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe për sigurinë rajonale. Edhe më shqetësuese është fakti se, sipas dokumentit evropian, përfaqësues të qeverisë aktuale në Shkup po e mbështesin dhe promovojnë këtë projekt, duke rrezikuar kursin euroatlantik të vendit.

Pikërisht për këtë, ne në Aleancën për Shqiptarët e kemi ngritur zërin prej muajsh. Që në fillim të qershorit, Kryetari, z. Arben Taravari, paralajmëroi publikisht për ndikimin e thelluar serb në politikën, sigurinë dhe ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Këto nuk janë thjesht vlerësime politike – tashmë janë konstatime të qarta nga institucionet më të larta të Bashkimit Evropian.

Parlamenti Evropian kërkon hapjen e arkivave të ish-shërbimeve sekrete jugosllave (UDBA dhe KOS), si një hap drejt përballjes me të kaluarën dhe forcimit të demokracisë. Gjithashtu, janë identifikuar edhe tabloidet dhe mediat serbe si burime të dezinformimit të sponsorizuar nga Kremlini, të cilat manipulojnë opinionin publik në Maqedoninë e Veriut – me ndikim te 50% e qytetarëve të vendit.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme që të gjitha partitë shqiptare dhe faktorët pro-evropianë të vendit të marrin përgjegjësinë historike dhe të distancohen pa ekuivok nga çdo aleancë me forcat që promovojnë ndikimin serbo-rus në rajon. Çdo përkrahje ndaj politikave të VMRO-DPMNE-së, të cilat janë vënë në shërbim të kësaj agjende, përbën tradhti ndaj të ardhmes euroatlantike të vendit dhe ndaj interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Brukseli tashmë e ka kuptuar rrezikun. A e kupton edhe grupimi VLEN? A janë të gatshëm të bëjnë zgjedhjen e duhur për vendin, për të ardhmen dhe për sigurinë tonë kolektive?

Aleanca për Shqiptarët riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO, për transparencë, demokraci dhe një shtet funksional në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët