Në prezencë të korit diplomatik, ka dështuar edhe përpjekja e 52’të për konstituim. Përpjekjet do të vazhdojnë edhe nesër, kur përfundon afati i Kushtetueses për përfundim të këtij procesi, shkruan Reporteri.net.
VV ka vazhduar me tentimin për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.
Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.
Edhe sot pati përplasje mes Kryesuesit Avni Dehari dhe përfaqësuesve të PDK’së, LDK’së dhe AAK’së.
“54 deputetë për, kundër nuk ka pasur, abstenim nuk ka pasur”, tha Dehari.
Seanca tjetër u thirr për nesër, në orën 14:00.
“Si kryesues i seancës, seancën e radhës do ta mbajmë nesër”, shtoi Dehari.
Në sallë ishin 107 deputetë.
Në seancën e sotme mori pjesë edhe kori diplomatik, për dallim nga seancat e kaluara.
Ndryshe, Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme pas 26 korrikut, kur përfundon afati për konstituim. /Reporteri.net