E ëma e Binak dhe Reshat Dacit, dy viktimave të vrara nga Millosh Pleskoviq gjatë luftës, ka thënë se dënimi prej 15 vjetësh për të, është shumë i ulët.

Pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të enjten, ajo ka thënë se ky dënim duhet të jetë i përjetshëm.

“M’i ka vrarë dy djem Milloshi, nga 29 vjet i kanë pasur. 15 vjet kurgjë nuk janë, janë shumë pak, ai duhet të dënohet përjetë”, ka thënë ajo para gazetarëve.

E motra e binjakëve të vrarë gjatë luftës, Ganimete Daçaj, ka thënë se dënimi për Pleskoviqin nuk është meritor.

“Ata duhet përjetë, ai po paraqitet që s’i kanë gjuajt vëllaznitë e mi. Ai Milloshi është. Ai mi ka masakru vëllaznit. Pak asht ajo, shumë duhet, jo vetëm ai, krejtve. Ai i ka mbytë krejt. Nuk janë vetëm vëllaznit e mi, nëna ime që sa vjet është t’u kajtë. Duhet shumë. Pak asht drejtësia, nuk është në nivel, duhet më shumë”, ka thënë ajo.