Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, nënshkroi sot kontratën me kompaninë “Fluid Proekt” për realizimin e projektit të rikonstruktimit të Stadiumit të Çairit – një investim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e infrastrukturës sportive në komunë.
Ky projekt parashikon vendosjen e barit artificial të gjeneratës më të fundit, të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe intervenime në infrastrukturën ndihmëse të stadiumit, duke përfshirë sistemin e ndriçimit, drenazhit dhe elemente shtesë që rrisin sigurinë dhe funksionalitetin për sportistët dhe publikun.
Punimet do të realizohen në një afat të përqendruar prej 45 deri në 60 ditësh, me synimin që stadiumi të jetë i gatshëm për sezonin e ardhshëm sportiv dhe të krijojë kushte moderne për klubet sportive dhe të rinjtë që zhvillojnë aktivitetet e tyre në Çair.
Rikonstruktimi i Stadiumit të Çairit është pjesë e vizionit të Komunës për investime të qëndrueshme në infrastrukturën publike, në funksion të mirëqenies komunitare dhe zhvillimit të sportit si pjesë integrale e jetës urbane.