Nëntë qytete kineze u akredituan si qytete ndërkombëtare të ligatinave, gjatë Takimit të 15-të të Konferencës së Palëve Kontraktuese të Konventës Ramsar për Ligatinat (COP15), të mbajtur në qytetin turistik Victoria Falls në Zimbabve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në Kinë në 22, më i larti në botë, shkruan “Xinhua”.

Nëntë qytetet e akredituara rishtazi janë Chongming në Shanghai, Dali në provincën Yunnan, Fuzhou në provincën Fujian, Hangzhou në provincën Zhejiang, Jiujiang në provincën Jiangxi, Lhasa në Rajonin Autonom Xizang, Suzhou në provincën Jiangsu, Ëenzhou në provincën Zhejiang dhe Yueyang në provincën Hunan.

Johane Chenjekwa, kryebashkiaku i Kasane në Botsvana, përgëzoi Kinën për promovimin e ruajtjes së ligatinave, duke vënë në dukje se Afrika mund të përfitojë nga bashkëpunimi me Kinën në menaxhimin e ligatinave.

Sipas tij, ndërsa bota përballet me sfidën e degradimit të ligatinave, përpjekjet e përbashkëta me Kinën mund të ndihmojnë në përballimin e ndikimeve të saj.

Jay Aldous, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Konventës për Ligatinat, vuri në dukje se ndërsa urbanizimi sjell përparim të prekshëm në zhvillim, ekziston nevoja për t’u siguruar që ai mos të ndërhyjë në ruajtjen e ligatinave.

Në përgjigje të sfidave dhe duke njohur rolin kyç të qyteteve dhe ligatinave urbane, Konventa për Ligatinat nisi skemën e Akreditimit të Qytetit të Ligatinave për të inkurajuar mbrojtjen e ligatinave urbane dhe integrimin e tyre në planifikimin urban të qëndrueshëm, tha Aldous.

E mbajtur nën temën “Mbrojtja e Ligatinave për të Ardhmen tonë të Përbashkët”, COP15, që do të përfundojë më 31 korrik, ka bashkuar palët kontraktuese për të forcuar angazhimet ndërkombëtare për mbrojtjen e ligatinave.