Nesër seancë e Këshillit ekonomiko-social! LSM: Paga minimale 500 euro dhe rritje 100 euro për të gjithë

Pagë minimale prej 500 eurosh dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat – kjo është kërkesa që nesër do ta paraqesë LSM në seancën e Këshillit Ekonomiko-Social, ku do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë dhe punëdhënësit. Kryetari i LSM, Sllobodan Trendafilov, dërgoi mesazh se kjo është një mundësi e mirë për Qeverinë që të tregojë se kujdeset për punëtorët. Ai u bëri thirrje deputetëve që para shpalljes së zgjedhjeve lokale, të miratojnë me procedurë të përshpejtuar ndryshimet ligjore për vendosjen e pagës minimale prej 500 eurosh.
Për më tepër, ajo që është shqetësuese në Maqedoni është fakti që 55.7% e qytetarëve nuk mund të përballojnë pushime vjetore as për 7 ditë në një bungalow në Dojran, sipas të dhënave të Eurostat-it.”
Trendafilov iu drejtua edhe sindikatave të tjera, duke i pyetur nëse nesër do të jenë në anën e Qeverisë apo të punëtorëve. Në takim pritet të diskutohet edhe për masat kundër çmimeve të larta, si dhe për shportën e re të miratuar nga Qeveria, pasi kishte kritika për versionin e shportës sindikale. Kryeministri Mickoski njoftoi se do të prezantohen pesë lloje shportash: për pensionistë, beqarë, çifte të rinj, familje me tre dhe katër anëtarë.
Kryeministri thotë se Qeveria po punon dhe do të punojë për rritjen e pagave. Fakti që paga mesatare është rritur në 45.800 denarë është dëshmi, por edhe kjo, sipas tij, nuk mjafton.
Sipas sindikalistëve, paga minimale prej 400 eurosh në vend është më e ulëta në rajon, më e ulët se në Serbi, Mal të Zi, Bosnje, Slloveni dhe Kroaci. Për të ndaluar emigrimin, sipas tyre, Qeveria duhet t’i përkrahë punëtorët, ashtu siç bëjnë qeveritë në rajon.