Gjatë një vizite në Uashington, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thuhet se i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump se Tel Avivi mund të ndërmarrë sulme të reja kundër Iranit.
Ndërsa ishte ulur përballë kryeministrit izraelit të hënën në Shtëpinë e Bardhë, lideri amerikan tha se shpresonte që nuk do të ketë më bombardime amerikane ndaj Iranit.
“Nuk mund ta imagjinoj që do të dëshiroja ta bëja një gjë të tillë”, tha Trump.
Më pas, në një bisedë private, Netanyahu i tha Trumpit se Izraeli do të ndërmerrte sulme të mëtejshme ushtarake nëse Irani vazhdon të përparojë drejt armës bërthamore. Trump u përgjigj se ishte në favor të një zgjidhjeje diplomatike me Teheranin, por se në përgjithësi nuk ishte kundër planit izraelit.
Bisedat e tyre, të cilat Wall Street Journal i përshkruan duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë dhe izraelitë, nxjerrin në pah llogaritjet e ndryshme me të cilat përballen të tre vendet pas sulmeve të muajit të kaluar nga Izraeli dhe SHBA ndaj objekteve bërthamore iraniane.
“Trump po mbështetet te kërcënimi i sulmeve të mëtejshme për të ushtruar presion mbi Teheranin që të arrijë një marrëveshje që do ta pengonte atë të ndërtonte armë bërthamore. Izraeli është skeptik se një zgjidhje diplomatike do ta ndalonte Iranin të përpiqej fshehurazi për armë bërthamore. Teherani, nga ana tjetër, po kërkon garanci se nuk do të përballet me bombardime të tjera në këmbim të vazhdimit të bisedimeve me Uashingtonin,” shkruan WSJ.
Një zyrtar i lartë izraelit ka thënë se Izraeli nuk do të kërkonte domosdoshmërisht një miratim të drejtpërdrejtë nga SHBA-ja për të vazhduar sulmet ndaj Iranit.
Megjithatë, në varësi të shkallës së përpjekjeve iraniane për të rifilluar programin bërthamor, Netanyahu mund të përballet me kundërshtimin e Trumpit, i cili dëshiron të ruajë rrugën diplomatike me Teheranin.