Në pikën kufitare me Serbinë “Tabanoc-Preshevë”, sot do të vihet në funksion sistemi One Stop për kontroll të përbashkët dhe të integruar.
Në nisjen zyrtare të sistemit One Stop do të marrin pjesë ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe Serbisë, Pançe Toshkovski dhe Ivica Daçiq.
“Sot jemi të pranishëm në kufi me qëllim që të japim mbështetje dhe të tërheqim vëmendjen e opinionit për aksionin parandalues që po e realizojmë përmes dy institucioneve në Maqedoni”, u shpreh Toshkovski.
Sipas tij, vendosja e këtij sistemi do të mundësojë qarkullim shumë më të shpejtë të qytetarëve në pikën kufitare “Tabanoc-Presevo”, e cila aktualisht është pika kufitare më e frekuentuar në vend.
Metoda e re e kontrollit pritet të lehtësojë tollovitë në kufi, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm numri i udhëtimeve.
Sistemi One Stop tashmë është vendosur me Kosovën në pikat kufitare Bllacë dhe Jazhincë, ndërsa janë duke u zhvilluar bisedime edhe me Shqipërinë për vendosjen e tij në dy pika kufitare. Me Bullgarinë dhe Greqinë, si anëtare të BE-së dhe zonës Shengen, do të ketë vetëm përmirësime organizative.