Mbi pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, Kosova nuk ka ende institucione të reja. Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas tre muajsh që nga mbajtja e seancës së parë konstituive, atë të 15 prillit. Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik, afat ky që përfundon të shtunën. Deri më tani nuk ka sinjale konkrete për dalje nga bllokada dhe as se çka pritet të ndodhë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik. Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur, por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

Për këtë çështje, Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar të martën pezullim të afatit 30 ditor për konstituim, të caktuar në Aktgjykim të Kushtetueses dhe sqarim mbi pasojat nëse Kuvendi s’konstituohet brenda afatit që përfundon të shtunën, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Deri më tani nuk ka sqarime të qarta nëse funksionalizimi i legjislaturës së re mund të ndodhë edhe pas afatit të përcaktuar prej 30 ditësh, apo kjo mund të çojë në veprime antikushtetuese.

Në anën tjetër, teksa afati po shteron kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

Albin Kurti kërkoi “durim” deri atëherë. Por, deklarata të ndryshme ka pasur nga të dy palët. Kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha dje se kjo parti nuk do zgjidhje gjysmake që shumë shpejt mund të çojë në zgjedhje të reja.

“Qëndrimi i Nismës, është që ne duam një shumicë qeverisës që e konstituon edhe Kuvendin dhe e formon edhe Qeverinë. Nisma nuk do zgjidhje gjysmake që mund të çojë në zgjedhje të reja. Nisma nuk do të kontribuojnë në zgjidhje të tilla gjysmake që nuk ndihmojnë në krijimin e institucioneve. Kemi pasur takimet e fundit me kryeministrin, në tavolinë kemi opsionet”, tha Limaj.

Palët po ashtu janë në pritje të një përgjigje nga ana e Kushtetueses në kërkesën e presidentes Osmani për pezullim të afatit 30 ditor.

Në adresë të Kushtetueses tashmë janë dërguar edhe dy kërkesa, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit.

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend /Reporteri.net/