Çarmatimi i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka filluar në veri të Irakut, një zhvillim që mund të çojë në përfundimin e një konflikti të zgjatur me Turqinë që ka zgjatur më shumë se 40 vjet.

Pas katër dekadash lufte të armatosur kundër shtetit turk, PKK-ja ka mbajtur një ceremoni që shënon një hap simbolik drejt heqjes dorë nga armët.

“Po i shkatërrojmë armët tona me vullnetin tonë të lirë, përpara jush, për të vazhduar luftën tonë përmes politikës demokratike dhe mjeteve ligjore. Ndërsa Lindja e Mesme po shndërrohet në një fushë gjaku dhe populli ynë ka më shumë se kurrë nevojë për paqe, liri, barazi dhe demokraci, ne e kuptojmë urgjencën dhe rëndësinë historike të këtij hapi”, thuhet në deklaratën e grupit.

Një grup luftëtarësh i dogjën armët e tyre në një zjarr, duke nisur një proces çarmatimi që pritet të zgjasë gjatë gjithë verës.

Ndryshe, rreth 40 mijë njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, dhe PKK-ja është e listuar si organizatë terroriste në Turqi, SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Çarmatimi i saj do të ketë ndikim jo vetëm në Turqi, por edhe në Irak, Siri dhe Iran.