Një raketë e lëshuar nga Jemeni u interceptua sonte nga ushtria izraelite, pak pasi në Jerusalemin qendror dhe në zona të tjera të vendit u aktivizuan sirenat e alarmit për sulm ajror.
Në një deklaratë të shkurtër, ushtria konfirmoi se raketa u neutralizua me sukses.
Rebelët Huthi, që kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit, kanë qëlluar shpesh herë dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës.
Pothuajse të gjitha raketat janë interceptuar. Megjithatë, më 4 maj, njëra prej tyre ra për herë të parë pranë Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv.
Si përgjigje, Izraeli goditi objektiva rebele në Jemen, duke synuar kryesisht porte dhe aeroportin e kryeqytetit Sanaa.