Shkruan: Xhelal Neziri

Diku në vitin 2018, Kosova realizoi një investim me rëndësi jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në rajonin e Pollogut. U hap dhe u asfaltua një rrugë që lidh pikën kufitare Jazhincë–Globoçicë me Hanin e Elezit, duke u mundësuar, kryesisht banorëve të Tetovës dhe Gostivarit, qasje të lehtë dhe praktike në autostradën që mban emrin e tetovarit Arben Xhaferi – një politikan që ka lënë gjurmë në skenën politike të rajonit dhe më gjerë.

Kjo rrugë u ofroi banorëve të Pollogut mundësinë të arrijnë më shpejt në Ferizaj, Prishtinë, por edhe të kenë qasje të drejtpërdrejtë në autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, të njohur si Rruga e Kombit.

Ajo u financua dhe u ndërtua nga Ministria e Infrastrukturës së Kosovës, me buxhet të siguruar nga Qeveria e Kosovës (atëbotë e përbërë nga PDK, AAK dhe NISMA, që realizuan projektin e nisur nga qeveria ku LDK ishte pjesë). Projekti përfshinte një segment prej afërsisht 6 kilometrash dhe vlerësohej fillimisht rreth 700 mijë euro.

Fatkeqësisht, disa muaj pas përurimit, rruga u dëmtua nga një rrëshqitje toke në afërsi të Hanit të Elezit. Ajo u sanua shpejt nga qeveria e asaj kohe. Por, për shkak të natyrës së rrëshqitshme të terrenit, rrëshqitja u përsërit në një pikë të afërt, duke detyruar autoritetet ta zhvendosin trajektoren e rrugës disa metra më anash. Mbase për shkak të pandemisë, që nga viti 2020 rruga mbeti e pashtruar në segmentin prej 200 metrash ku kishte ndodhur rrëshqitja. Megjithatë, ajo mbeti e kalueshme për banorët dhe për vizitorët nga Maqedonia e Veriut.

Pas ndryshimit të pushtetit në Kosovë në vitin 2021, kur Vetëvendosja e Albin Kurtit mori qeverisjen, nuk u ndërmor asnjë hap për përfundimin e këtij projekti. Edhe pse kishin mbetur vetëm 200 metra për t’u asfaltuar, punimet nuk u realizuan. Në muajt e fundit, rruga është mbyllur krejtësisht, duke penguar ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.

Nuk e di se cila është arsyeja e ngecjes, por të jesh në pushtet nga viti 2021 dhe të mos përfundosh një rrugë që ka qenë mbi 90% e realizuar, është një shenjë e qartë paaftësie. Ta mbash të mbyllur për muaj të tërë për shkak të dështimit për të asfaltuar një të pestën e një kilometri është krejtësisht e pashpjegueshme.

Nga ana tjetër, Kurti prej kohësh po promovon projektin e madh infrastrukturor Tetovë–Prizren – një rrugë rreth 50 kilometra me një tunel prej 6 kilometrash! Gjatë një qëndrimi në Tetovë për të promovuar “nisjen e punimeve”, ai deklaroi: “Ka një legjendë që thotë se Tetova dhe Prizreni kanë qenë një, por më vonë Mali Sharr i ka ndarë në dy”. Ai premtoi se do t’i bashkojë sërish këto dy qytete, por më pas u arsyetua se projekti nuk përparonte për shkak të sabotimeve nga qeveria e atëhershme LSDM-BDI në Maqedoni, pasi ai mbështeste, atëherë, opozitën shqiptare VLEN.

Ndoshta ka pak të vërtetë në këtë pretendim, por edhe pasi VLEN-i i tij dhe VMRO-DPMNE ndajnë pushtetin në Shkup, nuk ka pasur asnjë përparim në këtë drejtim. Përkundrazi, duke e lënë të bllokuar rrugën Gorancë–Hani i Elezit, ai vështirëson edhe më shumë komunikimin ndërmjet Tetovës dhe Prizrenit, ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

E tani, si mund të besohet se këto struktura udhëheqëse në Prishtinë e Shkup do të ndërtojnë një rrugë 50-kilometërshe me tunel, kur nuk janë në gjendje të asfaltojnë disa metra rrugë?

Edhe ky projekt, si duket, do të mbetet në legjenda që do t’u rrëfehen fëmijëve dhe votuesve në çdo fushatë parazgjedhore. Njëjtë si ajo legjenda për ndarjen e Tetovës dhe Prizrenit nga Mali Sharr.