Një ushtar izraelit ka qëlluar veten për vdekje në bazën ushtarake “Sde Teiman” në jug të Izraelit, pasi ishte kthyer nga luftimet në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas të përditshmes izraelite “Haaretz”, ushtari i cili ishte anëtar i Brigadës Golani, kreu vetëvrasje pasi u mor në pyetje nga policia ushtarake. Ushtari ishte larguar nga Gaza për të pushuar në bazë, ku hetuesit e policisë ushtarake po e prisnin, shkroi e përditshmja izraelite.
Një hetim ndaj tij ishte hapur rreth një muaj më parë dhe komandantët e tij kishin vendosur t’i konfiskonin armën. Megjithatë, ai u vetëvra me armën e një shoku që po flinte. Sipas gazetës, hetimi nuk kishte lidhje me sjelljen e tij, por nuk u dhanë më shumë detaje. Një nga shokët e ngushtë të ushtarit ishte vrarë nga shpërthimi i një bombe në Gaza muajin e kaluar.
Sipas mediave izraelite, një numër në rritje ushtarësh kanë kryer vetëvrasje që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023. Të dielën e kaluar, një ushtar rezervist vrau veten në një pyll pranë qytetit verior Safed, për shkak të problemeve psikologjike të shkaktuara nga lufta në Gaza.
Të dhënat e publikuara nga gazeta “Israel Hayom” tregojnë se 21 ushtarë kanë kryer vetëvrasje gjatë vitit 2024. Në muajin maj, gazeta “Haaretz” raportoi se 42 ushtarë kishin kryer vetëvrasje që nga fillimi i luftës në Gaza. Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli që nga tetori i vitit 2023 vazhdon me luftën gjenocidale në Gaza, duke vrarë të paktën 57.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori 2023.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën ndaj enklavës palestineze.