Me hapjen e Kunsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë qeveria e Edvinit ka bërë vetëm “një vërë në ujë”, pasi ajo nuk do shërbej për gjë, veç një adresë me një mbishkrim, që nuk do shërbej për asgjë veç shpenzimeve të kota të konsullit, i cili nuk ka çfarë të bëjë në zyrë gjithë ditën e ditës, por do të bredh me sejmenët e tij përskaj Drinit kafene më kafene, për ta kaluar kohën.

Shteti shqiptar dhe kryeministri Rama duhesh ta kishin menduar më parë përcaktimin e qytetit për vendosjen e Konsullatës së Përgjithshme jo për në Strugë por në Manastir, atje ku shqiptarët kanë frikë të flasin shqip në çarshinë e qytetit jo vetëm nga policët por edhe nga komitët që i kërcënojnë ata të mos flasin shqip.

Çështja e respektimit dhe e përdorimit të gjuhës shqipe te shqiptarët e këtej kufirit nuk bën pjesë në agjendën e kryeministrit Rama, edhe pse e ka detyrim kushtetues, përkundrazi, me këtë hapje konsullore të paqëlluar dhe jo në vendin e duhur, “i gjati” e qullosi dhe e lumosi si mos më keq me shqiptarët e kësaj ane, duke “harruar” këtë vatër të nxehtë të shovinizmit dhe të persekutimit të shqiptarëve ndaj faktit e të qënit shqiptar në Manastir, ku ata shtypen dhe denigrohen nga autoritetet maqedone si një komunitet i padëshiruar në ato troje që nuk duhej të fliste shqip.

Ky rast dhe raste të tjera si ky në qytete dhe fshatra të tjera të “Severnës”, si Velesi dhe Çashka, ku shqiptarët e kanë vështirë të kërkojnë të mësojnë në gjuhën shqipe, kurse qeveria shqiptare me Edvin batërdinë me gjithë detyrimin kushtetues që kanë për shqiptarët jashtë Shqipërisë administrative, nuk vjen ti shoh dhe t’i dëgjojë hallet e tyre, pasi ata nuk janë pjesë e agjendës së tij.

Për më tepër atij “doçit” i pëlqen të hiqet si lider i shqiptarëve në rajon, por nga ana tjetër nuk do t’i prish marrëdhëniet miqësore me despotin Micko, i cili bashkë me SDSM-në kanë një agjendë të përbashkët të deshqiptarizimit të Manastirit, ku prej vitesh ndërsejnë zagarët e tyre nëpër Manastir ndaj gjithë atyre që lëshojnë muzikë shqip në ndonjë lokal apo që flasin shqip paksa me zë të lart në çarshi, duke i kërcënuar me vrasje dhe diegie të shtëpive dhe pronave.

Konsullata e Përgjithshme i duhesh Manastirit dhe jo Strugës z.Edvin batërdia! Struga nuk ka nevojë për të, sepse ajo i duhet Manastirit për të qënë më pranë vëllëzërve të tyre, duke i parë nga afër hallet dhe problemet, shantazhimet dhe frikësimin, kërcënimet dhe thirrjet shovene ndaj shqiptarëve të Manastirit.

Shtëpia Muze e Alfabetit është një tjetër detyrë e shtetit shqiptar për ta shpallur monument të trashëgimisë kulturore dhe historike të popullit shqiptar dhe jo hapja e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë që nuk i shërben askujt veç Konsullit dhe leverdive të tij financiare.
Për fat të keq Shtëpia e Alfabetit ndanë hapësirat e saj me shitës arkivolesh si bashkëpronarë të shtëpisë Alfabetit Shqip, dhe kjo nuk përbën shqetësim për Edvin lemerinë si kryeministër shqiptar edhe pse shtëpia muze është pjesë e kulturës shqiptare!

Ky është turpi i qeverisë shqiptarë që kujtohen për shtëpinë muze të Alfabetit vetëm për 22 nëntor!

Ndaj, Kunsullata e Përgjithshme në Strugë nuk i shërben struganëve por veç për ndonjë cerifikatë lindjeje apo vdekjeje të dikujt, ndërsa në Manastir po, atje duhet të ishte “dora e ngrohtë” e shtetit shqiptar, por që fatkeqësisht nuk është pasi atje kanë ngritur një Konsullatë Nderi, një fantomë, që nuk duket gjëkundi.

Manastiri si dhe shqiptarët e persekutuar me shtëpinë e Alfabetit nuk janë shqetësim i qeverisë shqiptar dhe i Edvin lemerisë, pasi atij nuk i leverdis një ballafaqim dhe një konflikt me kryekomitin Micko, ku ajo duket si një marrëveshje e heshtur mes dy qeverive për ta lënë atë pjesë të marigjinalizuar të shqiptarëve të pambrojtur nga ekspeditat e bandave shoviniste maqedon në Manastir, për më shumë ajo duket si çështje pa leverdi dhe e padobishme e shtetit shqiptar.

Çështja shqiptare dhe identiteti kombëtar z. Edvin, nuk mbrohet vetëm në Strugë por gjithandej në trojet shqiptare!
Struganët dinë të mbrohen edhe vet si qëmoti, si atëherë kur Sulltan Saliu i kishte dhënë “aminin” Državës së Gligorovit t’i drejtonte grykat e topave nga Euro Hoteli kundër popullatës civile të Ladorishtit, për shkak të rebelimit të shqiptarëve të kësaj ane që nuk pranonin shkeljen e të drejtave kombëtare nga ana e pushtetit me ekspedita ndëshkuese, por as atëherë dhe as sot, nuk na mposhtën as me autoblinda dhe as me top!

Medai Shaholli