Nxënësit e Shkollës Fillore me Qendër Burimore „Idnina” në Çair, nga shtatori do të ndjekin
përkohësisht mësimin në hapësirat e Shkollës së Mesme Shtetërore për Rehabilitim dhe
Arsim „Shën Naum i Ohrit” në Qendër, ku për këtë qëllim, me mbështetjen e Odës
Ekonomike Maqedoni–Turqi (MATTO), do të adaptohen dhe rikonstruohen hapësirat që deri
më tani nuk janë përdorur.
Me këtë rast, sot shkollën e mesme e vizituan ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr.
Vesna Janevska, dhe përfaqësues të udhëheqësisë së MATTO-s, të kryesuar nga kryetari i
bordit drejtues të odës, Ajdovan Ademoski, të cilët së bashku me drejtorin e shkollës
firmosën marrëveshje për donacion, mbi bazën e së cilës do të realizohen punimet
ndërtimore.
Janevska theksoi se Qeveria po i qaset në mënyrë serioze tejkalimit të sfidave të shumta të
trashëguara në arsim, dhe se zgjidhjet gjenden dhe realizohen më lehtë me mbështetjen e
partnerëve dhe bashkëpunëtorëve, ndër të cilët është edhe MATTO, e cila në këtë rast ndan
100 mijë euro.
"Oda do të ndihmojë në renovimin dhe adaptimin e hapësirave në këtë shkollë, me qëllim që
deri në shtator të jetë në gjendje të ofrojë mësimdhënie dhe arsimim të përkohshëm për
nxënësit e Shkollës Fillore me Qendër Burimore „Idnina” në komunën e Çairit, e cila është në
gjendje katastrofale dhe për shkak se përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e fëmijëve dhe të
punonjësve, objekti është mbyllur, ndërsa planifikohet ndërtimi i objektit të ri tha Janevska.
"Ajo informoi se rreth 70 nxënës të rregullt të shkollës fillore „Idnina” dhe 130 të tjerë me të
cilët punohet sipas programeve individuale, do të kenë qasje në arsim të sigurt dhe cilësor nga
muaji shtator, ndërsa mësimi në hapësirat e adaptuara do të zhvillohet në dy turne. Janevska
bëri apel që përgjegjësia shoqërore e Odës MATTO të shërbejë si shembull që duhet ndjekur
edhe nga odat e tjera, organizatat dhe shoqatat, sepse, siç theksoi ajo, zhvillimi i arsimit duhet
të jetë mision i përbashkët shoqëror, nga realizimi i të cilit përfitojmë të gjithë."
"Kryetari i Odës, Ajdovan Ademoski, tha se të gjithë fëmijët meritojnë qasje të barabartë në
arsim cilësor dhe se duhet t'u kushtohet vëmendje e veçantë nxënësve me aftësi ndryshe, në
mënyrë që ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Oda do të vazhdojë të ndihmojë kudo që
ka nevojë dhe sipas mundësive."