“One Stop” edhe në pikëkalimin “Tabanocë”! Daçiq skeptik për teknologjinë, Toshkovski i sigurt: Ul pritjet

Njëri erdhi me helikopter nga Beogradi, ndërsa tjetri me përcjellje policore nga Shkupi. U takuan në zonën e kufirit më të ngarkuar të Korridorit 10. Derisa ministri i brendshëm Pançe Toshkovski dhe homologu i tij serb Ivica Daçiq firmosnin marrëveshjen “One Stop” në ambiente me ajër të kondicionuar në kufirin Tabanocë-Preshevë, radhë të gjata të pritjeve në temperatura të larta, vazhdonin t’u binin sirenave të veturave dhe kamionëve, ndonëse sistemi i kontrollit të vetëm hyrjeve filloi të zbatohet.
Ministri i brendshëm i Serbisë, Daçiq tha se “shkolla e vjetër” nuk ka fort besim në këtë sistem, por uron që të funksionojë.
Unë jam nga ato gjenerata që nuk kemi pasur teknologji të lartë e as teknikë të sofistikuar dhe nganjëherë nuk kam edhe aq shumë besim në të gjithë këtë. Por, shpresoj që të funksionojë gjithçka siç është planifikuar dhe kjo të rezultojë që sa më pak të ketë pritje të njerëzve në pikat kufitare dhe qytetarët të jenë të kënaqur.
Ministri Toshkovski, e siguron kolegun e tij se do ketë përshpejtim të kontrolleve vetëm në hyrje të shteteve, duke i marrë shembull edhe dy vendkalimet tjera kufitare që tani më po zbatohen.
“Sot zyrtarisht filluam me përdorimin e sistemit ‘One Stop Shop’ dhe jam i sigurt, për dallim nga kolegu, jam i sigurt se do të ulet periudha e pritjes dhe do të përshpejtohet transfer ndërmjet kufijve tanë.”
I pyetur nga TV21 për vendkalimin Llojan-Miratocë të lënë në harresë , ministri Daçiq tha kjo çështje e hapur para 10 viteve, por nga asnjëra anë nuk është bërë asgjë në infrastrukturën e saj për hapjen e atij kufiri të vogël. E derisa ende nuk dihet fati i kufiri Llojan-Miratocë, Maqedonia ka edhe një vendkalim tjetër të përbashkët me Serbinë, në Pelincë. Por aty nuk është në plan të zbatohet “One Stop”.
Përveç marrëveshjes për sistemin e integruar kufitar në fillim të sezonit turistik, sot u firmos edhe protokolli i shkëmbimit të nëpunësve policorë në bazë të nevojës nëpër qendrat turistike, të cilat janë me interes për qytetarët e të dyja vendeve. Kjo nënkupton që, për shembull, në Ohër, mund të vijnë në ndihmë policët e Serbisë gjatë sezonit turistik për t’i ndihmuar kolegëve të tyre në mbajtjen e rendit dhe qetësisë. Njëkohësisht policët e Maqedonisë mund të asistojnë në raste të caktuara në Serbi.