Orce Gjorgjievski është kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit, thotë se do ta ringjallë qytetin

Kryetari aktual i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, është kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kjo u vendos në mbledhjen e sotme të Komitetit Ekzekutiv të partisë. Siç tha në një konferencë për shtyp kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vendimi që Gjorgjievski të jetë kandidat për Shkupin u mor pasi ai printe bindshëm në sondazhe dhe si kryetar i Kisella Vodës kishte treguar se di dhe dëshiron të punojë për qytetarët.
“Për këtë periudhë që e njoh Orcen, e di që është i motivuar të fitojë, fillimisht në zgjedhje, e më pas çdo ditë për Qytetin e Shkupit. Gjorgjievski do të jetë energjia e re që i nevojitet Shkupit, pas katër viteve të shkatërrimit të qytetit. I kemi mësuar të gjitha leksionet që të mos gabojmë në zgjedhjen e kryetarit të qytetit këtë herë”, tha Mickoski.
Gjorgjievski tha se është i vetëdijshëm për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet qyteti.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për shkatërrimin e qytetit, por jam i gatshëm ta ringjall Shkupin. Është koha të ndërtojmë një qytet me të cilin jo vetëm ne, por edhe gjeneratat pas nesh do të krenohen. Fokusi do të jetë kaosi në trafik dhe pastërtia. Qyteti ynë është i ndotur dhe kjo është problemi më i madh për shkupjanët”, deklaroi Gjorgjievski.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidatja e VMRO-DPMNE-së ishte kryetarja aktuale e Shkupit, Danella Arsovska, për të cilën Mickoski gjatë fushatës zgjedhore thoshte se është një menaxhere që do ta bëjë Shkupin një qytet modern. Por pas një viti në mandat, Arsovska dhe VMRO-DPMNE u përplasën dhe që atëherë janë në përplasje të vazhdueshme.
LSDM ende nuk e ka shpallur emrin e kandidatit të tyre për kryetar të Shkupit.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në muajin tetor.