Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në vizitë zyrtare në Letoni, ku pas takimit me homologun letonez, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët ku mes tjerash tha se Serbia vazhdimisht përpiqet të destabilizojë vendin tonë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

E pyetur nga gazetarët se cili është ndikimi i Rusisë “në tensionet me Kosovës e Serbisë”, Presidentja Osmani tha se Serbia është shndërruar në një shtet-satelit të Rusisë.

Osmani theksoi se Kosova s’ka pushtuar e as sulmuar asnjë prej territoreve të vendeve fqinje, dhe do vazhdojë ta mbrojë pavarësinë e saj. Ajo shtoi se ndikimi i Rusisë në Kosovës është zero, por që të njëjtën gjë s’mund ta thotë për Serbinë.

Osmani: Falënderova presidentin letonez për mbështetjen drejt rrugës euroatlantike
“Serbia vazhdimisht përpiqet të destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht vetëmbrohemi. Në historinë e ekzistencës së shtetit tonë, asnjëherë nuk kemi pushtuar apo sulmuar as edhe një centimetër të territoreve të fqinjëve tanë. Ajo që kemi bërë gjithmonë – dhe që do të vazhdojmë të bëjmë – është të mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin tonë territorial, paqen dhe lirinë që e kemi fituar me shumë sakrifica… Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero”, tha Osmani në konferencën për media.

“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për vendin fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet-satelit të Rusisë, qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes Serbisë, Rusia përpiqet të krijojë një efekt destabilizues zinxhir në rajon, sepse sa më shumë destabilizim në Evropë, aq më shumë i shërben interesave të Rusisë. Kjo është ajo që duan, por ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë në BE dhe NATO, përmes parandalimit dhe zmbrapsjes, për të siguruar që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të realizuara përmes Serbisë, të mos ketë sukses”, deklaroi Osmani.