Disa pamje tronditëse tregojnë radhë vilash luksoze të shndërruara në hi nga zjarret vdekjeprurëse në Qipro ‘të nisura nga zjarrvënësit’.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, banorët e tmerruar u detyruan të largoheshin natën ndërsa flakët – të nxitura nga erërat e fuqishme dhe një valë nxehtësie 40 gradë Celsius – përfshinë rrugë të tëra në veri të Limasolit, një qytet bregdetar.

Një çift i moshuar u dogj tragjikisht i gjallë ndërsa përpiqeshin të largoheshin me makinën e tyre, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë me dëshpërim persona të zhdukur dhe po kryejnë evakuime masive.

Zjarri, i cili nuk ka pushuar që kur shpërtheu në mesditë të mërkurën, ka shkatërruar sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe të banueshme në të gjithë rajonin prodhues të verës në veri të qytetit të Limasolit, i cili ndodhet pranë vendeve të njohura turistike.

Rreshta shtëpish luksoze në rajonin Souni të ishullit u panë të djegura plotësisht. Disa pemë në pjesën e përparme të pronave u panë të djegura dhe të shkatërruara nga flakët.

Flaka besohet të ketë filluar nga dy pika rreth 90 metra larg njëra-tjetrës në një zonë poshtë një ure ku ndodhet një deponi plehrash. Policia lokale thuhet se po heton shkakun e zjarrit si zjarrvënie të qëllimshme.

Të paktën 10 persona u plagosën, dy prej tyre rëndë, tha policia, ndërsa të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe evakuime masive janë duke u zhvilluar, gjithashtu.

Zjarri në Qipro vjen mes një vale të ashpër të nxehti, me parashikuesit thonë se mund të arrijë 45 gradë Celsius, e cila nëse arrihet do ta bënte këtë të enjte ditën më të nxehtë të vitit në ishull.