Presidenti amerikan Donald Trump lëshoi akuza të ashpra ndaj Elon Musk të martën, duke sugjeruar se kompanitë e miliarderit teknologjik kanë përfituar “para të mëdha” nga subvencionet qeveritare dhe duke kërkuar që Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) të shqyrtojë përfitimet që ka marrë Tesla dhe kompani të tjera të lidhura me të.

– Advertisement –
“Pa subvencione, Eloni ndoshta do të duhej të mbyllte dyqanin dhe të kthehej në Afrikën e Jugut,” shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social. Ai shtoi: “Mjaft më me lëshime raketash, satelitësh apo makina elektrike. Vendit tonë do t’i kursehej një pasuri. Ndoshta DOGE duhet ta shohë mirë këtë? Para të mëdha për t’u kursyer!!!”

Reagimi i presidentit vjen pasi Elon Musk intensifikoi sulmet ndaj projektligjit gjithëpërfshirës për uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve federale, i promovuar nga Trump dhe republikanët. Musk, përmes një postimi në platformën X, reagoi shkurt: “Fjalë për fjalë po them: NDARJENI TË GJITHA. Tani.”

Musk, dikur një mbështetës i hapur i Trumpit, i cili shpenzoi thuajse 300 milionë dollarë për fushatën e rizgjedhjes së tij dhe udhëhoqi personalisht DOGE – një iniciativë për reduktimin e kostove qeveritare – ka shfaqur një distancim të dukshëm pas përplasjes së fundit.

Në fundjavë, ndërsa Senati shqyrtonte projektligjin, Musk e quajti atë “krejtësisht të çmendur dhe shkatërrues”. Të hënën, ai vijoi me kritika më të ashpra, duke thënë se ligjvënësit që promovuan shkurtimet e shpenzimeve por që mbështetën projektligjin “duhet të ulin kokën nga turpi!”

Kjo përplasje publike përbën një kthesë të fortë në marrëdhënien mes dy figurave të fuqishme republikane, që dikur bashkëpunonin ngushtë në reformat e qeverisë dhe fushatat elektorale. Subvencionet për kompanitë e Musk, sidomos në industrinë e automjeteve elektrike, energjinë diellore dhe hapësirën , kanë qenë një temë e debatit prej kohësh në radhët e konservatorëve.