Kryeministri Hristijan Mickoski bëri një krahasim tjetër, duke akuzuar politikanët bullgarë për tendenca asimiluese ndaj popullit maqedonas, duke e krahasuar qasjen e tyre me atë të udhëheqjes ruse në Ukrainë.

“Qëllimi i politikanëve bullgarë aspak nuk ndryshon nga qëllimi që e kanë drejtuesit rus në Ukrainë dhe ajo është përpjekja për asimilim të popullit maqedonas dhe një lloj inxhinieringu identitar, që është gjëja më e paktë që duhet të ndodhë në shekullin 21 në Evropë dhe në atë vend anëtar të BE-së që duhet të ndajë vlera evropiane”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Këto deklarata janë në vazhdën e përplasjeve të ditëve të fundit, pasi Parlamenti Evropian fshiu gjuhën dhe identitetin maqedonas nga raporti për Maqedoninë. Ministri i Jashtëm bullgar e quajti Mickoskin kryeministër verimaqedonas kurse ky i fundit bëri analogjinë e miut që nguc luanin, duke thënë se ministrit bullgar ashtu i ishte urdhëruar të vepronte. Sofja tani pret kërkimfalje nga Mickoski.

“Kolegu Mickoski duhet të gjejë një mënyrë për të kërkuar falje, sepse kur një kryetar qeverie drejton fyerje të tilla ndaj një anëtari të një qeverie të huaj, kjo prish marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besimin, i cili është shumë i brishtë në këto kohë”, tha Rosen Zheljazkov, Kryeministër i Bullgarisë.

Ministria e Jashtme bullgare një ditë më parë shprehu shqetësim për, siç e cilësoi ajo, “gjuhën armiqësore dhe fyese” të zyrtarëve të Shkupit, ndërsa VMRO-DPMNE ka akuzuar qeveritë e kaluara maqedonase për “lëshime të rënda” dhe “kompromise ndaj identitetit”./Alsat/