Një hap i jashtëzakonshëm në fushën e kirurgjisë robotike është shënuar nga shkencëtarët në Universitetin Johns Hopkins, ku për herë të parë një robot kirurg ka kryer një pjesë të ndërlikuar të një operacioni për heqjen e tëmthit, pa ndërhyrjen direkte të një kirurgu, shkruan Neuroscience.

Roboti i quajtur Surgical Robot Transformer-Hierarchy (SRT-H) është i pari në llojin e vet që ka treguar aftësi për të kuptuar, vendosur dhe korrigjuar vetë gjatë një procedure kirurgjikale, duke tejkaluar kufijtë e zakonshëm të teknologjisë mjekësore.

Ekipi hulumtues ka trajnuar robotin përmes analizës së qindra videove të kirurgëve të Johns Hopkins që kryenin operacione në kufoma derrash. Këto video janë shoqëruar me përshkrime të detajuara të çdo hapi të procedurës, për të ndihmuar robotin të zhvillojë një kuptim të plotë të operacionit. Si rezultat, SRT-H e realizoi me sukses procedurën me 100% saktësi në një model artificial, që imiton trupin e njeriut.

Ndryshe nga robotët tradicionalë që thjesht zbatojnë udhëzimet, SRT-H përmirësohet vetë në kohë reale – njësoj si një mjek i ri që mëson nën mbikëqyrjen e një mentori me përvojë. Edhe pse operacioni zgjati më shumë se sa do të kishte zgjatur me një kirurg me përvojë, cilësia e rezultateve ishte e krahasueshme.

Kjo arritje është ndërtuar mbi të njëjtën arkitekturë të inteligjencës artificiale që fuqizon ChatGPT, duke i dhënë robotit jo vetëm saktësi teknike, por edhe aftësi për të ndërvepruar dhe mësuar si një profesionist njerëzor.

“Ky përparim na çon nga robotë që thjesht ndjekin udhëzime, te robotë që kuptojnë dhe vendosin gjatë një procedure kirurgjikale,” tha Axel Krieger, drejtuesi i projektit.

Në fazat e ardhshme, ekipi synon të zgjerojë trajnimet për të përfshirë operacione më të larmishme dhe më komplekse, me vizionin përfundimtar: një procedurë kirurgjikale plotësisht autonome, nga fillimi në fund.